E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Degë frëngjishteje po, konsullatë jo”

22/02/2005  Ambasadorja franceze viziton Shkodrën

SHKODËR – Dje vizitoi, për herë të parë, qytetin e Shkodrës ambasadorja e Francës, Françoise Bourolleao. Kjo është hera e katërt, që Shkodra vizitohet në këto muaj të parë të vitit nga përfaqësues të ndryshëm diplomatik. Duke e krahasuar me vizitorët e mëparshëm, mund të themi se ambasadorja franceze ishte vizitorja më kurioze ose më e interesuar për qytetin qendër të veriut. Kjo u pa qartë nga pyetjet e saj të shumta në të gjitha fushat gjatë takimeve që pati me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Artan Haxhi, Prefektin Ramadan Hasanaj si dhe me rektorin e Universitetit të Shkodrës, Mahir Hoti. Duke qenë se ishte hera e parë që vinte në këtë qytet, gjatë takimit, ajo i kërkoi kryetarit të Bashkisë, që ta njihte në mënyrë të hollësishme me historinë, vlerat si dhe me problemet e këtij qyteti. Haxhi i bëri dje ambasadores një analizë historike të vlerave të padiskutueshme, si dhe i pasqyroi qartë vështirësitë dhe nevojat ekonomike të këtij qyteti, ku binte në sy shifra 54% e të papunëve, mungesa e energjisë elektrike, shkaktare e mungesës së biznesit, e falimentimit të tyre, apo edhe e largimit të biznesmenëve drej Tiranës e Durrësit. Lidhur me problemin shumë të diskutuar për hapjen e fakultetit të gjuhës frënge në Universitetin e Shkodrës, ambasadorja franceze u shpreh se janë bërë bisedimet e nevojshme me stukturat përkatëse dhe së shpejti do të hapet kjo degë. Në fund, Haxhi kërkoi që të bëhej e mundur hapja e një Konsullate Franceze në Shkodër, por diplomatja u shpreh se në këto kohë konsullatat po mbyllen, ashtu si ka ndodhur me konsullatën franceze në Itali, Gjermani dhe Spanjë. Hapja e Konsullatës në Shkodër mund të bëhet vetëm atëherë kur do të ketë një zhvillim ekonomik me marrëdhënie bilaterale të biznesmenëve shkodranë dhe atyre francezë. Pas vizitës në bashki, ambasadorja franceze takoi dhe prefektin Ramadan Hasanaj si dhe rektorin e Universitetit të Shkodrës, Mahir Hotin.

6 janar 2005 - Shkodrën e viziton ambasadorja amerikane, Marcye Rise. Vizita e saj u deklarua se ishte korteziale, por dhe për të parë mundësi investimesh

12 janar 2005 - Ambasadori italian, Massimo Janucci, viziton qytetin e Shkodrës. Ai shoqëronte senatorin e vendit të tij, Firelo Provera, në takimin me investitorët italianë në qytetin e Shkodrës

16 shkurt 2005 - Ambasadori i OSBE-së së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të shtetit belg takojnë autoritetet vendore shkodrane

21 shkurt 2005 - Viziton qytetin e Shkodrës ambasadorja franceze Françoise Bourolleao, e cila ka bërë të ditur se në Universitetin e Shkodrës do të hapet dega e frëngjishtes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›