E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në dhjetor, Irena refuzoi të bënte fëmijë me mua

22/02/2005  Flet Agim Musha: Do të largohem nga Shqipëria, le ta mbajnë pasaportën

"Irena". Dosja pa autor, pa trup të gjallë apo të vdekur. Bruno Musha, i biri, rikthehet në Gjermani pranë shkollës dhe studimeve, vajza sipas babait do të martohet së shpejti. Fletët e hetuesve shtohen dita-ditës, ndërsa adresa e Irenës mbetet zhdukja. Agim Musha, bashkëshorti i saj, i rikthehet akuzave ndaj ish-gruas si dhe ngadaltësisë së Prokurorisë për të zbardhur të vërtetën, për t’u dhënë fund hetimeve. Unë do të iki, nuk i pres më, le ta mbajnë pasaportën...". Musha duket i vendosur në gjërat që deklaron. Ai pretendon tek implikimi në historinë e tij të oficerëve të lartë të Ministrisë së Rendit.

Bruno ka marrë pasaportën nga Prokuroria?

Po. Im bir ka marrë pasaportën dhe nesër (sot) ikën në Gjermani, në orën 14 e 15 minuta. Ai do të kthehet përsëri më 22 mars, pasi ky është sezoni i provimeve.

Pasaporta juaj është e bllokuar, ndërkohë?

Ma kanë mbajtur në Prokurori, ndonëse më kanë premtuar se do të ma japin shumë shpejt. Nëse duan ta mbajnë, unë kam një dokument gjerman, me të cilin mund të udhëtoj ku dhe kur të dua, të lëviz lirshëm në Evropë. Kam ndarë mendjen që të iki. Nuk më pengojnë dot. Kam dasmën e vajzës dhe dua të shkoj e të rregulloj dokumentet.

Do ju lejojë Prokuroria?

Kam tri javë në dispozicion të tyre dhe nuk mund të pres më gjatë. Nuk më ndalojnë dot. Kam njëmijë mënyra për të ikur. Por do të jem i gatshëm sa herë që ata të kenë nevojë. Por, gjithsej dy herë më kanë pyetur dhe fjalët e mia nuk i marrin parasysh.

Çfarë duhet të marrin parasysh?

U kam thënë se kanë tentuar të më vrasin. Kam dëshmitarë disa oficerë të lartë policie për këtë gjë.

Tjetër?

Në 2003-shin, Irena së bashku me të dashurin dhe me një shoqe kanë shkuar në Gjermani, ku ka qëndruar dhjetë ditë me të atje, pastaj është kthyer. Unë isha në punë në Shqipëri.

Ka zbritur Irena në Durrës?

Po, ka zbritur. Kam 20 veta dëshmitarë që e thonë haptas një gjë të tillë.

Sipas jush, Irena është gjallë apo ka vdekur?

Me 90 për qind ajo është gjallë, ashtu ishte tipi i saj, të fshihej. Vetëm 10 për qind mund të them se ajo ka ikur nga Shqipëria me identitet tjetër.

Ju jeni i akuzuar për zhdukjen e gruas?

Jo, unë nuk jam as i pandehur, as i akuzuar, jam thjesht me statusin e dëshmitarit.

Çfarë i keni ofruar Prokurorisë për këtë ngjarje me dëshmitë tuaja?

Kam pasur 10 kaseta filmike, ku ishte inçizuar Irena me të dashurin. Ua kam treguar fëmijëve dhe pastaj gruaja më kërkoi falje dhe unë i prisha të gjitha kaseta, sepse ajo m’u lut që t’ia fillonim nga e para.

Si donit t’ia fillonit prapë?

I kërkova Irenës që të bënim dhe një fëmijë tjetër, që të bindesha se ajo e kishte seriozisht kthimin tek unë.

Kur ia kërkuat këtë gjë?

Në fund të dhjetorit 2004.

Pranoi Irena?

Në fillim bëri sikur pranoi dhe ishte dakord, pastaj filloi të pinte ilaçe fshehur meje.

Mendoni se Prokuroria ka mbaruar punë me dëshmitë tuaja?

Nuk më kanë thirrur më. Kanë bërë kontroll në tri banesat e mia. Kontrolli ishte me dashakeqësi, pasi e kanë bërë 15 ditë me vonesë. Kam dorëzuar të gjitha letrat e saj në Prokurori, ankesat që kishte bërë në polici, një kasetë që ajo kishte ndërmend të kërkonte azil politik në Amerikë.

Mendoni se Irenën e kanë vrarë?

Dyshime për vrasjen kam. Ajo kishte marrë 100 mijë dollarë dhe dhjetë mijë euro. Me gjithë ato para çfarë nuk të ndodh. Këtu të vrasin për 500 mijë lekë.

Kush mund të ketë pasur motiv për ta vrarë?

Ndonjë mik, i dashur, apo i njohur i saj. Mua nuk kishte burrë nëne të më merrte gruan. Ajo çfarë nuk thoshte. Madje, po në dhjetor të vitit 2004, më ka thënë të ndërroja varret.

Varret?

Më tha se po vdiqa të ma bësh varrin në Tufinë e jo në Sharrë, ku kemi varrezat e familjes ne. Më kërkoi pastaj t’i blija një shtëpi te rruga e Elbasanit, te pallati pranë “Piramidës”, buzë Lanës.

Ka tentuar Agimi ose Irena që t’i drejtohet Gjykatës për të bërë divorc, pasi problemet në martesë nuk ishin të pakta?

Jo, nuk ka pasur asnjë kërkesë, prej asnjërit nga ne.

Nisja pa mbërritje nga Gjermania

Nëse gjithçka është vërtetuar për një pjesë të mirë të udhëtimit të asaj dite, mbërritja në Durrës ende mbetet mister. Dokumentacioni në Durrës është i pasaktë dhe listat shqiptare mbeten të pabesueshme, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve të asaj dite. Zyrtarët e hetimeve thonë se nuk ka asnjë konfirmim se Irena Seli ka mbërritur fizikisht në Durrës, ashtu sikurse me bindje, hetuesit thonë se nuk kanë asnjë provë për të besuar të kundërtën. Për hetuesit, një gjysmë konfirmimi për vulosjen e pasaportës së saj, nuk do të thotë se ajo ka zbritur me 16 dhjetor në Durrës. Sepse, sipas grupit hetimor, ka vend për dyshime, sipas të cilave pasaporta e Irena Selit është firmosur pa qenë e pranishme ajo, gruaja e zhdukur pa gjurmë. Ajo çka është konfirmuar rezulton nisja nga Gjermania, ndërsa udhëtimi për në Trieste, Durrës, Tiranë, Zhdukje, mbetet mister për akuzën.

15 dhjetor 2004

Irena Seli dhe burri i saj, Agim Musha, pronar i kompleksit “Bruno”, nisen në një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri. Ata udhëtojnë me makinën e tyre deri në Itali, ndërsa marrin tragetin nga porti i Triestes për në Durrës.

16 dhjetor 2004

Personeli i Portit të Durrësit vulos pasaportat e dy bashkëshortëve, të cilat mbërrijnë në Durrës. Agim Musha thotë se, gruaja është larguar në këtë moment, pasi e kishte lënë te makina.

20 dhjetor 2004

Pas publikimit të ngjarjes, Agim Musha paraqitet në Komisariatin e policisë numër 2 të Tiranës dhe denoncon zhdukjen e gruas, katër ditë pas ngjarjes. Policia fillon veprimet e para të hetimit, pyetet paraprakisht Agim Musha për rrethanat e ngjarjes.

23 dhjetor 2004

Pasi mësojnë se bashkëshorti i Irenës ishte larguar në Gjermani, familja e të zhdukurës shkon në Durrës dhe bën kallëzim penal për ngjarjen. Hetuesit e policisë marrin deklarimet e personave të afërt.

12 janar 2005

Pas disa hetimeve paraprake, policia e Komisariatit numër 2 në kryeqytet ia kalon dosjen Prokurorisë së Tiranës. Fillojnë hetimet për rrëmbim personi.

16 janar 2005

Agim Musha nga Gjermania, thotë se zhdukja e Irena Selit ka qenë një ngjarje dhe një inskenim i planifikuar prej saj. Musha e akuzon ish-gruan e tij për lidhje intime me një punonjës të policisë.

18 janar 2005

Merren në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, vëllai dhe daja i Irenës. Ata shprehin dyshimet e para për vrasje ndaj Agim Mushës, ndërsa thonë se ai është larguar në Gjermani, pa mësuar asgjë për të shoqen.

19 janar 2005

Dosja penale për zhdukjen e Irena Selit i kalon për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetuesit e këtij institucioni thonë se dosja ka vetëm tri prova dhe se verifikimet e ngjarjes janë neglizhuar.

21 janar 2005

Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kthehen nga qyteti i Durrësit pa arritur të marrin një konfirmim, nëse Irena ka mbërritur aty apo jo. Vërtetohet fakti se, pasaportat e udhëtarëve janë vulosur në traget.

22 janar 2005

Njëri prej udhëtarëve të ardhur nga Italia në datën 16 dhjetor, emri i të cilit ndodhet në të njëjtën listë me Agim Mushën dhe Irena Selin, thotë se nuk ka udhëtuar në një traget me gruan e zhdukur dhe burrin e saj.

23 janar 2005

Sekuestrohet në Durrës dokumentacioni i udhëtimit të pasagjerëve me tragetin “Venezia” të linjës Trieste-Durrës. Fotografohen ambientet e tragetit, me qëllim përcaktimin e saktë të pozicionit të udhëtarëve që kanë qenë në afërsi të kabinës dhe vendqëndrimit në traget të Agim Mushës dhe Irena Selit.

24 janar 2005

Grupi hetimor në Durrës deklaron se policia italiane e Triestes dhe kompania e udhëtimit, konfirmojnë se Irena Seli ka hipur në traget dhe se emri i saj gjendet në listat e pasagjerëve.

25 janar 2005

Motra e Agim Mushës, Drita, pohon për gazetën “Metropol” se, Irena Seli kishte filluar të kërkonte azil në Amerikë. Në funksion të këtij qëllimi, Irena kishte bërë një kallëzim në Prokurori për kërcënim, por kishte marrë edhe dokumente që “vërtetonin” keqtrajtimet dhe ndjekjen e saj nga policia.

2 shkurt 2005

Agim Musha kthehet nga Gjermania bashkë me të birin dhe merren në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

3 shkurt 2005

Prokuroria bllokon pasaportat e Agim dhe Bruno Mushës, që të mos udhëtojnë jashtë Shqipërisë.

19 shkurt 2005

Prokuroria vendos që t’i japë pasaportën Bruno Mushës, i cili niset sot për në Gjermani, në shkollë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›