E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edhe me gjak do ta mbrojmë tokën e të parëve tanë”

22/02/2005  Banorët e Kakomesë, 30 minuta përleshje me policinë

SARANDË – Banorët e Kakomesë u janë rikthyer dje protestave në fshatin e tyre, ndërsa janë përleshur edhe me policinë përreth 30 minuta. Nga ana e saj, policia ka shoqëruar disa persona, dy prej të cilëve i ka ndaluar.

Përplasja

Rreth orës 09.00 të ditës së djeshme, ndërsa kishte nisur nga puna një fadromë e firmës ndërtuese “Guri i Bardhë” për hapjen e rrugës që të çon në gjirin e Kakomesë, mëse 300 banorë të fshatit Nivicë, të cilët pretendojnë se administrojnë dhe e kanë pronë të tyre Kakomenë, tentuan të ndalonin punimet e nisura për hapjen e rrugës së re.

Rreth orës 12.00, banorët më kryeplakun Vladimir Kumi në krye, ju drjetuan mjetit, i cili po realizonte zgjerimin e rrugës ekzistuese. Sapo u afruan 10 metra te fadroma, nisën debatet e konfrontimet e para me forca të shumta të policisë të mbërritura nga Tepelena, Vlora dhe Gjirokastra, të cilët kishin dijeni dhe ishin përgatitur për protestën në afërsi të Kakomesë, në vendin e quajtur “Gryka e Prodanit”.

Dy gra nga turma, Marika Jorgji dhe Leta Qirjaqi kanë hypur mbi fadromë, duke i kërkuar drjuesit të saj të largohej për në rrugën nacionale Sarandë-Vlorë.

Pas 30 minutash përplasje me policinë mjeti i firmës ndërtuese “Guri i Bardhë”, nga Ura Vajgurore, ka ndalur punën, por nuk ka lëvizur nga vendi në pritje të një urdhri nga drejtuesit e policisë. Nga përleshja e policisë me protestuesit është plagosur lehtë një 50-vjeçare.

Banorët

Punimet janë ndërprerë përkohësisht, ndërkohë që fshti ka vendosur roje për moslejimin e rifillimit të punimeve.

Marika Jorgji, një nga protagonistet e protestës, ka deklaruar se “do të vdesim të gjithë niviciotët që Kakomenë mos e marrë çifti Nano që po gllabëron Shqipërine”.

Sipas saj, po planifikohen për të ardhur në Kakome të gjithë emigrantët nga Nivica, që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

“Ata do të vdesin këtu për tokën e tyre”, thekson Jorgji

Ndërsa Maria Dukshiu, emigrante nga ky fshat në Greqi, tregoi se “kemi dy ditë që i presim policët që të na vinë këtu dhe jemi gati të vritemi për këtë copë tokë, që e kemi mbrojtur me gjak në të gjitha kohrat. Kam ardhur nga Greqia natën dhe të tjerë priten të vijnë në çdo moment. Të gjithë janë të betuar, që kjo tokë të jetë vetëm jona, e niviciotëve”.

Kryeplaku i fshatit Nivicë, Vladimir Kumi

“Dhuna e policisë, për të dobësuar nismën tonë të grumbullimit”

Kryeplaku i fshatit Nivicë, Vladimir Kumi, ka denoncuar dje dhunën policore, ndërsa ka shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë për vazhdimin e protestës së tyre deri në mbrojtjen me gjak, sikurse shprehet ai. Kume bënë të ditur edhe përpjekjet e tij, për sensibilizimin e këtij problemi.

Çfarë keni arritur deri tani dhe cilat janë synimet?

Banorët kanë bllokuar të gjitha shtigjet që të çojnë në Kakome, jemi duke pitur reagimin e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Fatos Nano. Jemi të gatshëm të largojmë çdo lloj ushtrie dhe policie nga vendi jonë dhe i të parëve tanë.

Sipas informacioneve tuaja, si është “bilanci” i përplasjes me policnë?

Policia e Sarandës ka shoqërur tre të rinj, midis të cilëve Dhionis Papagjika, Sevo Papadhima dhe një të tretë që e liruan. Këtë e bëjnë për të mbjellë frikë në popull. Synimi i ndalimit të tyre, është dobësimi i nismës për grumbullimin që ka nisur javë më parë në Nivicë.

A keni ndërmarrë lëvizje “diplomatike” për sensibilizim?

Në të gjitha anët ne do të sensibilizojmë të gjitha institucionet, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut. Kam kontaktuar me politikanë të ndryshëm në vend, opozita ka qenë ajo që na ka mbështetur më shumë në kërkesat tona të drejta.

Së shpejti protestë para parlamentit grek për Kakomenë

Kthehen emigrantët, bashkohen me protestën

SARANDË - Dje kanë ardhur në Nivicë dhjetëra emigrantë nga Greqia dhe numri i tyre po shtohet.

Sipas kryeplakut Vladimit Kumi, mësohet se “djemtë tanë në Athinë po na mbështesin në këto protesta. Ata po përgatiten që të ngrenë zërin para autoriteteve greke dhe ambasadave të ndryshme evropiane, të cilat janë në Athinë. Mund të shfrytëzohet një parakalim në kryeqytetin grek, për të bërë publike protestën tonë afër parlamentit grek”, bënë të ditur Kumi.

Ndrkohë, sipas dëshmive të banorëve të Kakomesë, mësohet se emigrantë nga fshatra të ndryshëm të bregdetit, po përgatiten për të realizuar një protestë përpara ambasadës shqiptare në Athinë këto ditë. Në këtë protestë do t’i kërkohet të gjithë komunitetit të Sarandës të bashkohet në protestën për çështjen e Kakomesë dhe të kthehen në Shqipëri për të mbrojtur Kakomenë. Protestuesit pritet të protestojnë dhe përpara parlamentit grek në Athinë.

Sali Berisha

“Paralajmëroj Kryeministrin të mos konfliktojë klimën para zgjedhjeve. Sikundër kemi garanci të plotë se qytetarët e Kakomesë nuk janë kundër turizmit, por janë për tratativa direkte mbi bazën e tutujve të pronësisë që ata disponojnë”.

Fatmit Mediu

“Nuk është e drejtë që të ndëryhet në mënyrë arbitrare nga asnjë forcë në Kakome. Kakomeja është një çështje që po shqyrtohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave“.

Paskal Milo

Po mbarset një konflikt social dhe i bëj thirrje deputetëve që të shqyrtojnë dhe të eliminojnë këtë konflikt. Kjo çështje kërkon vëmendjen e të gjitha palëve për t’i dhënë zgjidhjen e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›