E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degët e PS-së në rrethe solidarizohen me grevistët

Reagimi Tubimi në Patoz, policia shoqëron 12 aktivistë të PS. Protestë edhe në Qarkun e Beratit

Përkrahja e rretheve të Shqipërisë për protestën që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të vijojë të jetë prezente edhe në ditët e ardhshme. Partia Socialiste ka marrë masat organizative që militantë të saj nga të gjitha qytetet të marrin pjesë aktive në tubimin që është nyjëtuar rreth çadrave të grevës së urisë, duke e dimensionuar në rrafsh të përgjithshëm territorial aksionin opozitar. Turnetë e organizuara sipas qarqeve pranë grevistëve të urisë, do të plotësohen me socialistë të tjerë nga rrethet, që sot do të mbërrijnë nga Qarku i Beratit. Rreth një mijë militantë nga tre rrethe pritet të mbërrijnë sot në Tiranë në një protestë që po merr formën e një procesioni të pandalshëm. “Ne kemi organizuar punën që të nisim drejt kryeqytetit rreth njëmijë socialistë nga tre rrethet e qarkut tonë për të treguar se jemi në mbështetje të plotë të socialistëve që ndodhen në greve urie”, ka deklaruar dje sekretari politik i qarkut, Stavri Ceca. Sipas tij, arsyet e këtij vendimi janë pjesë e solidaritetit të natyrshëm mes socialistëve, por edhe pse arsyet e grevës janë shprehje e shqetësimeve të të gjithë qytetarëve. Sinjale të reagimit të përbashkët politik janë dhënë dje edhe nga qyteza e Patosit, ku është zhvilluar një protestë që nuk do të ndalet në asnjë ditë. Pjesëmarrësit në këtë aksion kanë shprehur shqetësimet e jetës së përditshme, të cilat, sipas tyre, kanë gjetur rrugën e përçimit në protestën e Partisë Socialiste. Burime nga Patosi pohojnë për gazetën se 12 të rinj janë shoqëruar për në komisariat. Zyrtarisht policia pohon se përplasja është krijuar gjatë momentit që u është kërkuar organizatorëve të protestës leja e tubimit. Mungesa e kësaj të fundit është bërë shkak për përplasje. Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Mel, ka ndërhyrë gjatë tentativës së policisë për të ndaluar protestuesit, ndërkohë që është kthyer vetë objekt debati. Kjo ka shkaktuar precedentin që disa nga protestuesit të reagojnë kundër uniformave blu. Këto të fundit, pas tërheqjes së momentit, janë rikthyer me përforcime dhe kanë bërë shoqërimin e 12 të rinjve. Protesta të njëpasnjëshme në çdo vend, është skenari i një ideje që synon reaksionin zinxhir të reagimit qytetar. Në këtë drejtim, kërkesat e kësaj të fundit janë ripërsëritur edhe dje nëpërmjet një komunikimi mediatik të mbajtur nga selia e grevës së urisë. Në një kundërpërgjigje ndaj Kryeministrit Sali Berisha, deputeti grevist Fatmir Xhafaj ka dhënë një deklaratë që hedh poshtë pretendimet për zgjidhje kushtetuese të problemit. “Vendimi i gjykatës që ndalon hapjen e kutive për efekt të transparencës...nuk ekziston. Kreu i qeverisë së votave të vjedhura është i thirrur për të shumtën herë ta bëjë publik këtë vendim, që ai pretendon paturpësisht se e pengon të hapë kutitë dhe jo të përsërisë pa pushim të njëjtën gënjeshtër të madhe...”, deklaroi Xhafaj nga çadra e grevës së urisë. Një element simbolik ky që i ofron publikut raportin e ri që po ndërton protesta me qeverinë. Opozita sot po i përgjigjet Kryeministrit nga rruga, duke i vënë kështu përpara imazhin e një krize që ai po përpiqet ta minimizojë në efektin e vet apo ta shpërfillë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›