E Diel, 1 Nëntor 2026

Degët më të mira i “kapin” rrethet



zirina llambro

Gjimnazistët e kryeqytetit "përfundojnë" në Kamëz, ndërsa degët më të kërkuara në Universitetin e Tiranës i fitojnë maturantët nga rrethet. Ndërsa në debatin për arsyet, jepen një sërë argumentesh, statistikat që dëshmojnë këtë realitet janë të pakundërshtueshme. Nga të dhënat për Maturën Shtetërore të vitit të kaluar, vetëm 28% e fituesve në Universitetin e Tiranës vijnë nga shkollat e mesme të kryeqytetit. Pjesa tjetër janë nga rrethet. Sipas Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, nga 6261 studentë që u pranuan vjet në UT, 1751 janë nga Tirana ndërsa 4510 nga rrethet. Raportet përmbysen në Universitetin Bujqësor. Ndonëse degët e këtij universiteti nuk janë fort të kërkuara, rreth 51% e fituesve në to vijnë pikërisht nga gjimnazet e Tiranës. Edhe pse numri i kuotave është më i vogël, nga 2085 studentë që janë pranuar vitin e shkuar në këtë universitet, 1058 janë gjimnazistë kryeqytetas. Sa i përket 10 programeve më të kërkuara për 5 komponentët e maturës, ku bëjnë pjesë (mesatarja e 4 viteve, notat e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje) rezulton se nxënësit nga rrethet kanë rezultate më të larta. Përtej frymës që mbizotëron se, të rinjtë e Tiranës shpesh neglizhojnë shkollën e i marrin gjërat më lehtë, është vërejtur edhe një fenomen tjetër. Nga sa u diskutua në konferencën e maturës shtetërore, të mbajtur rreth 2 muaj më parë, pjesa më e madhe e administratorëve të provimeve që janë ndëshkuar në 2009 janë nga rrethet. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve sqarojnë se janë vërejtur shkelje në jo pak shkolla. "Nxënësit janë lënë të lirë të komunikojnë, çka ka ndikuar edhe te rezultatet. Në Tiranë procesi ka qenë më i rregullt dhe më i kontrolluar", sqarojnë burimet. Por ata nënvizojnë se këto mangësi nuk mund t'u heqin meritën shumë nxënësve të shkëlqyer, të cilët e kanë fituar me forcat e tyre shkollën e lartë. Po kështu, po ti referohesh asaj çka shihet përditë, nuk bie poshtë as argumenti se të rinjtë e Tiranës, shpesh preferojnë të qëndrojnë për orë të tëra kafeneve, duke neglizhuar kështu shkollën. Gjithsesi, për t'i dhënë gjithkujt hakun, Ministria e Arsimit këtë vit ka marrë një sërë masash.
Masat e ministrisë
Këtë vit nuk do të aplikohet rikorrigjimi i tezave, por do të ketë korrigjim të dyfishtë. Ai konsiston në kontrollin e testit nga 4 mësues të ndryshëm. Vitet e mëparshme, numri i tyre ka qenë dy. Në këtë mënyrë, sipas Ministrisë së Arsimit, vlerësimi do të jetë më objektiv dhe me standardet që aplikohen edhe në vende të tjera. Për t'i arritur ato, korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë të Shqipërisë, të cilët do të trajnohen paraprakisht. Gjithashtu do aplikohet një formë e re e administrimit të maturës. Nxënësit e shkollave në zonat rurale, provimet me zgjedhje do t'i japin vetëm në qytete. Vetë Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka deklaruar dy muaj më parë se kjo masë do të merret për të evituar abuzimet. "Do të realizohet grupimi i nxënësve në shkolla të mëdha, për të evituar qoftë abuzimet, qoftë subjektivizmit dhe favoret të vërejtura gjatë maturave të mëparshme", është shprehur Ministri i Arsimit. Për të garantuar një proces transparent, administratorët e provimeve do t'i nënshtrohen trajnimeve dhe do të vlerësohen me kredite. Ministria e Arsimit do të marrë masa të forta ndëshkuese për administratorët që do kryejnë shkelje. Këta të fundit duhet t'i përmbahen me rigorozitet rregullores së maturës shtetërore, për mënyrën si do të zhvillohen provimet.

statistikat e ava-s

Fituesit në Maturën e 2008- 2009

Universiteti i Tiranës
Gjithsej: 6261 fitues
Tirana: 1751 fitues
Rrethet: 4510 fitues
Tirana: 28% të fituesve
Rrethet: 72% të fituesve
Universiteti Bujqësor
Gjithsej : 2085 fitues
Tirana: 1058 fitues
Rrethet: 1027 fitues
Tirana: 51% të fituesve
Rrethet: 49% të fituesve

Pesë degët më të kërkuara:

Administrim Biznes
Tirana: 142 fitues
Rrethet: 328 fitues
Punë Sociale
Tirana: 18 fitues
Rrethet: 102 fitues
Drejtësi
Tirana: 207 fitues
Rrethet: 493 fitues
Shkenca Politike
Tirana: 13 fitues
Rrethet: 97 fitues
Psikologji
Tirana: 20 fitues
Rrethet: 80 fitues

Mbetësit në maturë, nisin shkollën e lartë te privati

Një pjesë e mirë e universiteteve private nuk ka si kriter dhënien e maturës shtetërore, si kusht për të nisur shkollën e lartë. Sipas të dhënave që vijnë nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA), ka shumë raste që mbetësit në maturën shtetërore regjistrohen në universitete private dhe pas një ose disa vitesh kërkojnë transferimin drejt publikut. "Ndaj në këtë drejtim, procesi i përcaktimit të fituesve në institucionet publike të arsimit të lartë duhet të përsoset. Duhet të zbatohen të njëjtat standarde për të gjithë", thonë specialistët. Sipas tyre, rëndësi duhet t'i jepet edhe këshillimit të karrierës, në mënyrë që të mos përsëriten mangësitë e vërejtura më parë, kur maturantët ishin të painformuar për degët që duhet të zgjidhnin në universitete. Këtë vit procesi i provimeve të MASH, ato të detyrueshme dhe me zgjedhje, do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010.

Berisha, takim me studentët e masterit
Kryeministri Berisha priti dje grupin e parë të studentëve që do të ndjekin studimet master, për punonjësit e shërbimit civil, të administratës publike vendore. Ky master do të ndiqet në Universitetin "Zonja e Këshillit të Mirë". "Formimi dhe konsolidimi i shërbimit civil në të gjitha nivelet e Qeverisë, përbën një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit me përgjegjësi të qeverisjes", tha Berisha. "Në këtë kontekst, ne kemi vendosur të hapim universitetin për administratën publike dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm", theksoi Kryeministri.

Testet e provimeve, nivel mesatar
Provimet e maturës shtetërore do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme. Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet, sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Tezat do të jenë të nivelit mesatar, duke mos ngarkuar më shumë seç duhet maturantët. Rezultati negativ i njërit prej provimeve të detyrueshme të maturës, nuk do të penalizojë hyrjen e maturantëve në provimet me zgjedhje. Sipas Ministrisë së Arsimit, pesha e 4 provimeve është e shpërndarë në mënyrë të barabartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›