E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Ekonomia pësoi tkurrje në fund të 2009-ës



nertila maho

Ekonomia shqiptare është tkurrur në tremujorin e fundit të 2009-ës. Instituti i Statistikave ka publikuar dje të dhënat, nga të cilat rezulton se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia është ulur me 0.8 për qind, ndërsa nëse krahasohet me tremujorin paraardhës, ajo ka shënuar një ulje prej 2.4%. Pavarësisht këtyre shifrave, INSTAT konfirmon një rritje vjetore pozitive prej 3.3 për qind gjatë vitit 2009. Sektorë të ndryshëm, gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar kanë pasur një ecuri disi pozitive me përjashtim të ndërtimit. Në këtë kuadër, aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me 1.7 për qind dhe ka pasur një rritje me 0.8 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2009. Rritje kanë shënuar edhe dega Tregti, Hotele dhe Restorante, me një vlerë prej 7.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, ndërsa nëse i referohemi tremujorit të tretë kjo degë shënon një rritje prej 1.6 për qind. Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2009 u rrit me 3.0 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie me 3.5 për qind ndaj tremujorit paraardhës. Dega e post-telekomunikacionit pati rritjen më të madhe me 8.3 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009, përkundrejt tremujorit të katërt të 2008 dhe një rënie me 1.0 për qind përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2009. Ndërsa dega e shërbimeve, në tremujorin e katërt të vitit 2009 pati rritje me 0.1 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2008 dhe një rënie prej 4.0 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009. Grupit të rritjes nuk ka mundur t'i bashkohet industria, e cila pësoi një rënie prej 4.1 për qind në tremujorin e katërt të 2009, krahasuar kjo me tremujorin e katërt të 2008. Ndërkohë që nëse këtë e krahasojmë me tremujorin e tretë të 2009-ës, dega e industrisë pati një rritje prej 2.9 për qind. Më keq situata është paraqitur për sektorin e ndërtimit, i cili në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 14.4 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008 dhe me 11.8 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009.

3-mujori IV '09 krahasuar '08

Ekonomia -0.8%
Aktiviteti bujqësor +1.7%
Grupi i industrive -4.1%
Dega tregti Hotele dhe Restorante +7.2%
Aktiviteti i transportit +3%
Post-Telekomunikacioni +8.3%
Dega shërbime +0.1%
Ndërtimi -14.4%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›