E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ekonomisë “OK” eurobondit



Komisioni i Ekonomisë miratoi dje projektligjin lidhur me emetimin e eurobondit të parë shqiptar. Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda shpjegoi para komisionit hapat e këtij procesi, si dhe rëndësinë që ka ai për vendin tonë duke qenë se Shqipëria del për herë të parë në tregun ndërkombëtar. Me nota pozitive e kanë komentuar këtë eurobond edhe anëtarët e komisionit. "Financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit të shtetit, për të financuar shpenzimet kapitale në euro dhe shlyerjen e një kredie të vitit të kaluar", tha Haldeda. Sipas kryetarit, Edmond Spaho, fakti që dy banka të mëdha dalin në mbështetje të këtij procesi do të thotë se kanë besim tek ekonomia shqiptare. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe vlerësimet e deputetëve, Sybi Hida dhe Shefedin Shehu, të cilët e kanë cilësuar si një masë të zgjuar marrjen e një borxhi me interesa më të ulëta, për të shlyer një borxh me interesa më të larta. Sipas tyre, ky projektligj do të shërbejë për investitorët dhe do të sjellë efekte të shpejta pozitive, si shtimi i likuiditeteve në treg, forcimi i lekut, nxitja e kredive të bankave. Me projektligjin e miratuar dje, synohet emetimi i një shume deri në 400 milionë euro, me një interes 7.50% dhe me një afat maturimi 5-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›