“Urgjencat, ku çalon shërbimi”
zirina llambro
Duhet të jetë shërbimi më efektiv, por nuk është aspak kështu. Shërbimi i urgjencës në vendin tonë lë për të dëshiruar. Kësaj here nuk janë pacientët ata që ankohen. Mangësitë i pranojnë vetë krerët e shëndetësisë. Dje gjatë raportimit në komisionin parlamentar të shëndetësisë, zv.ministri Bardh Spahia tregoi të gjitha hallkat ku çalon ofrimi i ndihmës së shpejtë. Për të ndryshuar situatën është parashikuar që të bëhen investime jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në stafin që ofron këtë shërbim. "Nga vlerësimi i bërë rezulton se ka shfrytëzim të ulët të shërbimit të urgjencës mjekësore, nivel profesional jo në shkallën e duhur i personelit, mungesë e standardizimit e mbajtje jo e mirë e të dhënave për pacientin", u shpreh Spahia. Sipas tij, ministria ka një platformë për të përmirësuar shërbimin e urgjencës. Pritet të hapet një degë e re në Fakultetin e Mjekësisë, pikërisht për aftësimin e profesionistëve të ndihmës së shpejtë, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e shërbimeve. Po kështu, me anë të një granti japonez, 14 qendrat e urgjencave në rrethe do të pajisen me aparatura të specializuara, për të ofruar një shërbim cilësor për pacientin. Ndërsa qeveria italiane ka ndihmuar me 4.25 mln euro për asistencë teknike. Gjatë mbledhjes së djeshme, në komision është diskutuar edhe për qendrën e traumës e cila do të zhvendoset në spitalin "Nënë Tereza", pas përfundimit të godinës së re në qershor. Përfaqësuesit e bluzave të bardha kërkuan që të ekzistojnë dy qendra traume paralele. Sipas tyre, pacientët që vijnë nga rrethet në gjendje të rëndë, mund të marrin në kohë më të shkurtër ndihmën e shpejtë, për shkak të pozicionit që ka Spitali Ushtarak, ku aktualisht funksionon e vetmja qendër traume në vendin tonë. Sa i përket spitalit të ri, që hapet në qershor, u bë me dije se shërbimi i parë që do të instalohet është ai i urgjencave. Në një fazë të dytë do të bëhet edhe kalimi i shërbimit të reanimacionit në këtë godinë. Sipas kreut të këtij shërbimi, Ilir Ohri, do të duhet shtim i buxhetit, pasi nuk ka personel për këtë fazë. "Nëse do të mendojmë të nisim punën në qershor, aty do të punojnë mjekë, infermierë dhe duhet një buxhet. Nëse nuk nxirret norma që duhet, atëherë ky projekt mund të dështojë", u shpreh Ohri.
Ndihma e shpejtë
Plot 350 mijë pacientë kërkojnë çdo vit ndihmën e shpejtë, por sipas të dhënave shpesh shërbimi nuk ofrohet siç duhet dhe në kohë. Një pjesë e mirë e qytetarëve preferojnë më mirë të transportojnë në spital familjarët e tyre me automjete personale e taksi, sesa të thërrasin ambulancën. Vonesat i detyrojnë të marrin këtë vendim, çka mund t'i kushtojë të sëmurit edhe jetën pasi ka nevojë për trajtim të specializuar. Jo të pakta kanë qenë rastet, që për shkak se nuk kanë marrë siç duhet ndihmën e shpejtë, nuk kanë mundur t'i shpëtojnë një aksidenti apo sëmundjeje të rëndë.