E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nushi: Pajisje me kasa për gjithë karburantet



Vendosje të kasave fiskale nga të gjithë shoqëritë e karburanteve, për të shmangur konkurrencën e pandershme. Kjo është thirrja që bëri dje Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure në vend, përmes sekretarit të përgjithshëm Viktor Nushi. "Duam që të vendoset sa më shpejt ky sistem fiskal, i cili është në të mirë të qytetarëve edhe të kompanive për një konkurrencë të ndershme në treg. Sistemi fiskal që vihet në pikat e karburanteve ka për qëllim që të kontrollohet çdo litër që del nga pompa, deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Pra është një sistem fiskal që Qeveria do ta kontrollojë" tha Nushi. Sipas tij, kompanitë "sh.a" janë ndër kompanitë që mbështesin totalisht çdo vendim të Qeverisë, që është ligjor dhe kërkon që këto vendime të gjejnë zbatim. "Në zbatimin konkret, ne shohim që nga DPT dhe Ministria e Financave po mbështeten kompani piramidë, në kurriz të kompanive të hidrokarbureve. Jemi të gatshëm të financojmë e përballojmë të gjitha shpenzimet për të pajisur pikat e karburantit me ato çka përcakton VKM-ja", vazhdoi Nushi. Ndërkohë, që për sa i përket rritjes së çmimit të karburanteve në treg, ai u shpreh se ky është efekt i lëvizjes në bursë dhe fuqizimit të dollarit. "Në përgjithësi, fuqizimi i dollarit ka ecur në kah të kundërt me bursën duke krijuar kështu hapësira për një çmim të arsyeshëm, por këto kohë të dy këto elementë po ecin në një kah, çka ka sjellë dhe shtrenjtimin e karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe në vendin tonë", tha Nushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›