Fratini: Vendimi për vizat më 2 qershor
Erald Kapri
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini informoi se në datën 2 qershor pritet të merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Kreu i diplomacisë italiane vizitoi dje Tiranën zyrtare, me ftesë të homologut Ilir Meta, dhe në konferencën për shtyp, Fratini tha se qytetarët shqiptarë në vjeshtë mund të nisin udhëtimet pa vizë në zonën shengen. "Synimi ynë politik është përfitimi i një propozimi pozitiv nga Komisioni para fundit të muajit maj. Ndërsa etapa e dytë, përbëhet nga shpallja e vendimit, për sa i përket liberalizimit të vizave në Samitin që do të realizohet në Sarajevë, më 2 qershor të këtij viti. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Komisionit Evropian mund të marrë një vendim formal përpara fillimit të verës, për të mundësuar që shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë të mund të bëjnë vizitën e parë jashtë territoreve të tyre kombëtare, pa pasur nevojën e pajisjes paraprakisht me viza, në periudhën e vjeshtës të këtij viti", deklaroi Fratini. Ai u shpreh optimist për arritjen e këtij synimi, ndërsa ministri shqiptar Ilir Meta u shpreh se janë përmbushur të gjitha kriteret, në mënyrë që të përfitohet një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave. "Qeveria shqiptare gjatë këtyre tetë muajve të fundit në mënyrë të veçantë, ka bërë një progres spektakolar në të katër blloqet, dhe të gjitha detyrimet teknike për ne janë të përmbushura", deklaroi Meta.
Pjesë e konferencës së djeshme për shtyp ishte edhe situata aktuale për shtyp. Ministri Meta tha se çdo paqartësi duhet të zgjidhet në mënyrë kushtetuese. "Shqipëria është një vend demokratik dhe evropian, është një anëtar i NATO-s, synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Në çdo vend demokratik marrëveshjet, apo më saktë, mosmarrëveshjet, duhet të zgjidhen në mënyrë kushtetuese dhe institucionale", tha Meta i cili gjeti edhe mbështetjen e homologut italian. "Ajo që tha ministri Meta, reflekton pikërisht sistemin dhe gjithashtu Kushtetutën e Shqipërisë dhe unë nuk mund të shtoj asgjë tjetër", tha Fratini. Por Ministri i Jashtëm italian foli më gjatë për situatën politike në vend, duke theksuar përgjegjësinë e të dyja palëve. "Unë besoj se të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të kuptojnë se Shqipëria ndodhet në një pasazh vendimtar për të ardhmen e saj evropiane", paralajmëroi ministri italian, duke shtuar se "kjo përgjegjësi e madhe sigurisht ka të bëjë me faktin se të gjithë duhet të punojmë së bashku, për të çuar Shqipërinë në BE". Ministri Fratini theksoi në fund të fjalës së tij se pavarësisht mbështetjes për Shqipërinë, vetëm situata e brendshme politike do të jetë përgjigjja më e duhur për Evropën. Ai kërkoi bashkëpunim politik në Parlament. "Miqtë e Shqipërisë do të jenë të rëndësishëm, por do të jetë sistemi politik i brendshëm në Shqipëri, i cili duhet t'i japë përgjigjet e duhura Evropës. Ndaj për mendimin tim, të gjitha forcat politike shqiptare duhet tani të bashkëpunojnë ngushtë në Parlamentin shqiptar për integrimin në Evropë", mbylli deklaratën e tij në konferencën për shtyp, ministri italian, Franko Fratini.
Berisha: Përgatitje për energjinë nukleare
Kryeministri Sali Berisha u takua dje me Ministrin e Jashtëm italian, Franko Fratinin, nga ku deklaroi se Qeveria do të përgatisë vendin për ndërtimin e një centrali nuklear. "Diskutuam me ministrin Fratini edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë nukleare. Dua të përshëndes takimin e fundit midis Kryeministrit italian Silvio Berluskonit dhe Presidentit francez Nikolas Sarkozy, për ridimensionimin e kësaj fushe të energjisë. Për këtë kemi vendosur të përgatisim vendin, për të përfituar në këtë fushë", tha Berisha. Nga ana e tij, Fratini tha se "ishte shumë e frytshme biseda mbi perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore". Më 29 prill do të realizohet në Tiranë një takim për korridorin 8.
Rezolutë për Shqipërinë në PE
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikolas Cuntis, publikoi një projektrezolutë që shpreh keqardhjen për situatën në Shqipëri. Në këtë projektrezolutë trajtohet situata aktuale politike në Shqipëri, por edhe liberalizimi i vizave. Cuntis shprehet pozitiv në draftin e tij për liberalizimin e vizave, si dhe për fqinjësinë e mirë me vendet fqinjë. Ai jep vërejtje për procesin zgjedhor, duke kërkuar që ato të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme, si dhe ndëshkim të përgjegjësve. Gjithashtu, vërejtjet nuk mungojnë edhe për sa i përket sistemit gjyqësor, përpjekjet për të cilin konsiderohen ende "fillestare" dhe kërkohet që të jetë i pavarur nga Qeveria. Kritika shprehen edhe për korrupsionin, administratën, situatën ekonomike.
Marrëveshje për pensionet
Në bisedimet dy palëshe mes Metës dhe Fratinit, u shqyrtua mundësia e nënshkrimit të një marrëveshje të re në fushën e pensioneve mes dy vendeve. "Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta, gjeti mbështetjen e ministrit Fratini për shqyrtimin e mundësisë, për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e pensioneve dhe njëkohësisht u ra dakord që të punohet edhe për ngritjen e Institutit të Kulturës shqiptare në Itali", thuhet në njoftimin zyrtar të takimit.
Protokolli, 51 milionë euro
Shqipëria do të përfitojë 51 milionë euro investime nga Italia, të cilat do të përdoren në projekte të ndryshme. Meta e Fratini nënshkruan dje Protokollin për Zhvillim dhe Bashkëpunim për periudhën 2010-2012, në bazë të cilit, Kooperacioni italian do të financojë në Shqipëri projekte që kapin vlerën prej 51 milionë eurosh. Dy ministrat u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, energjetike, shkëmbime tregtare, shëndetësi, arsim dhe bujqësi.
Xhaçka: Liberalizimi sa më shpejt, transparenca duhet bërë
Me anë të deputetes Olta Xhaçka, socialistët përshëndetën mbështetjen e vazhdueshme që Italia jep në procesin e liberalizimit të vizave, gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini. "Jemi të vetëdijshëm se vonesat në liberalizimin e vizave nuk kanë pasur të bëjnë me qëndrimin e Bashkimit Evropian, por me dështimin e vazhdueshëm të Qeverisë shqiptare, në përmbushjen e obligimeve të kërkuara dhe së fundmi mungesës së vullnetit për të zgjidhur krizën politike në vend. Ne shpresojmë në një përgjigje pozitive deri në maj, që shqiptarët të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në Evropë, pasi në të kundërt, humbja edhe e këtij shansi, do të ishte tepër e rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët", tha Olta Xhaçka, deputete e PS-së. Por sipas PS, transparenca e zgjedhjeve mbetet prioritet i saj. "Sa i përket çështjes së transparencës së zgjedhjeve, kjo është një e drejtë e mohuar që populli opozitar do ta fitojë në rrugën e protestës pa ndalim, kundër pushtetit të vjedhur që po rrënon edhe ekonominë, pasi tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve më 28 qershor", tha Xhaçka.