E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dehen në dasëm, qëllojnë mbi dasmorët

Autori i Lajmit: red.
Alkooli i konsumuar në një ceremoni dasme ka bërë që drejtuesi i një automjeti tip “Fiat” të bëjë garë me kushëririn e tij që drejtonte një furgon ku në të ndodheshin pasagjerë shtatë familjarë të tij të moshave të ndryshme. Pasi nuk i lejonin vend për parakalim njëri -tjetrit drejtuesi i automjetit “Fiat” ka nxjerrë pistoletën që mbante pa leje në brez dhe ka qëlluar në drejtim të kushëririt të vet që drejtonte furgonin.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 17 në vendin e quajtur “Qafa e Shkozës”, 7 km larg fierit në aksin rrugor drejt Cakranit. Sipas burimeve zyrtare të policisë Fier Ilia Hyseni që drejtonte një automjet tip “Fiat” ka qëlluar në drejtim të një drejtuesi furgoni, kushëriri i tij Gëzim Lulaj lindur në Varibop e banues në Fier. Pasi kishte konsumuar alkool në dasmë të kushëririt janë nisur me automjet “Fiat” dhe po bënte gara me kushëririn e vet që kishte furgon tip “Benz” me ngjyrë të bardhë. Pasi nuk i lejonin vend për parakalim njëri -tjetrit Hyseni i ka zënë rrugën drejtuesit të furgonit dhe pasi janë sharë për parakalimin ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në ajër për ta trembur. Gëzhoja e dalë nga arma që Hyseni mbante pa leje ka qëlluar në faqe drejtuesin e furgonit që është edhe kushëriri i autorit të ngjarjes. Pas marrjes vesh të ngjarje policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Blutë kanë shoqëruar për në polici drejtuesin e mjetit furgon si dhe pasagjerët ndërkohë që autori i ngjarjes ishte larguar. Burimet policore pohuan se drejtuesi i furgonit dhe pasagjerët nuk tregonin emrin e drejtuesit të makinës “Fiat”. Eshtë dashur këmbëngulja e prokurorit të gatshëm si dhe oficerit të policisë gjyqësore që ata të tregonin emrin e autorit të ngjarjes që është Ilia Hyseni, 33 vjeç banues në Fier. Pas plotësimit të dokumentacionit policia ka shpallur në kërkim Hysenin.
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›