E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dehen në mbrëmjen e maturës, aksidentohen rëndë dy të rinj

Ka përfunduar hidhur mbrëmja e maturës për dy 18-vjeçarë nga qyteti i Lushnjës. Dy të rinjtë, sapo kanë dalë nga mbrëmja, kanë pësuar aksident rrugor dhe ndodhen në rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:00 të mëngjesit të së martës. Burime zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë bëjnë të ditur se Klodian Kulla, lindur e banues në lagjen "Loni Dhamo", si dhe bashkëmoshatari i tij, Redi Isufi, banor i lagjes "Çlirim", kanë qenë darkën e së hënës në një lokal në periferi të qytetit, ku ishte organizuar festa tradicionale e mbarimit të viteve të gjimnazit. Mbrëmja ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe rreth orës 04:45 minuta, dy të rinjtë në gjendje të dehur kanë dalë për të bërë disa kilometra rrugë me makinë. Kështu Klodian Kulla, që kishte marrë automjetin e të atit, një BMË me targa LU7469B, ka marrë me vete shokun e tij të ngushtë dhe në gjendje të dehur kanë udhëtuar drejt autostradës Lushnjë-Rrogozhinë. Në kilometrin e katërt të autostradës, në vendin e quajtur rreth-rrotullimi i Plugut, Kulla ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga duke ecur disa metra kuturu e për t‘u përplasur më pas me kolonën e një karburanti që ndodhej aty pranë. Roja i natës së karburantit ka njoftuar policinë dhe u ka dhënë ndihmën e parë dy adoleshentëve. Policia ka mbërritur vetëm pak minuta pas njoftimit dhe ka mundësuar nxjerrjen e dy të rinjve nga makina e dëmtuar dhe dërgimin e tyre për në spitalin civil të Lushnjës. Mjekët e natës së spitalit kanë vendosur që njërin prej të rinjve, Redi Isufin, ta dërgojnë me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi ai paraqiste rrezik për jetën, ndërsa Klodian Kulla deri mesditën e së martës ka qenë në gjendje të rëndë, në spitalin e Lushnjës. Mjekët pohuan se nëse gjendja e Kullës nuk përmirësohet, atëherë edhe ai do të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për mjekime më të specializuara. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë pohojnë zyrtarisht se kanë nisur procedimin për veprën penale "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor", për të cilën do të përgjigjet drejtuesi i mjetit Klodian Kulla. Ai do të ndiqet penalisht menjëherë pas daljes nga gjendja kritike ku ndodhet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›