Sëmundja e Mediut shtyn gjyqin ndaj Stojanit
Kërkesa e Fatmir Mediut, kreut të PR-së, që të ndiqet penalisht kryesuesi i hetimeve për Gërdecin, Sokol Stojani, është shtyrë dje në Gjykatën e Tiranë nga vetë deputeti i zgjedhur më 28 qershor. Nëpërmjet një shkrese, Mediu i kërkonte gjykatës që të shtynte procesin, pasi ishte sëmurë dhe do të shkonte në Greqi për ekzaminime mjekësore. Gjyqtari i çështjes ka pranuar "justifikimet" e të akuzuarit si shkaktar i tragjedisë së Gërdecit dhe ka shtyrë seancën edhe për dy javë të tjera. Ish-ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të zhvlerësojë një vendim të prokurorisë së kryeqytetit, e cila nuk ka filluar një hetim ndaj kryehetuesit të dosjes "Gërdeci", Sokol Stojani. Ai kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 21 prill 2009, të prokurorit Genti Xholi dhe Genci Qana për mosregjistrimin e procedimit penal në bazë të padisë së bërë nga ish-ministri Fatmir Mediu. Sipas kërkesës që Fatmir Mediu ka dorëzuar në gjykatë, thuhet se në padinë e tij ai kishte dhënë prova të qarta për ndjekjen penalisht të Sokol Stojanit, i cili në mënyrë tendencioze dhe për të ulur figurën e tij, kishte dërguar mesazhe telefonike në një emision televiziv ku Mediu ishte i ftuar. Sipas Mediut, këto prova të paraqitura nga ai nuk janë analizuar fare dhe prokurorët vendosën rrëzimin e padisë dhe mosnisjen e hetimeve për të paditurin. Kërkesën e tij Mediu e ka bazuar në nenin 291/2 të Kodit të Procedurës Penale. "Vendimi për mbylljen e hetimeve është bërë në datën 21.04.2009 dhe më është përcjellë me një shkresë të datës 30.04.2009, e cila më ka mbërritur në datën 13.05.2009" thuhet në ankimimin e Mediut. Duke e konsideruar këtë veprim si të padrejtë dhe të pambështetur në ligj dhe prova, ai paraqiti ankimim në gjykatë. Gjithashtu, arsyetimi i bërë nga prokurorët e përmendur më sipër, sipas Mediut, është tërësisht i gabuar dhe në keqinterpretim të ligjit.