E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen granata, plagoset rëndë vajza 15-vjeçare

Një vajzë adoleshente është plagosur në gjendje të rëndë aksidentalisht, nga shpërthimi i një granate dore, të cilën e ka gjetur rastësisht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kacni të Komunës Selishtë në Rrethin e Dibrës. Kanë qenë orët e mesditës së djeshme, kur Dhurata Losha, 15 vjeç, teksa po lante rrobat në një përrua të këtij fshati, ka ndeshur rastësisht në një granatë dore. Vajza ka marrë granatën dhe ka lëvizur siguresën, duke shkaktuar shpërthimin e saj. Brenda pak sekondash vajza është përplasur për tokë e mbuluar nga gjaku. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë Dibër, Aldo Puca, ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi vajza duke mos pasur dijeni për rrezikun që paraqiste objekti i gjetur, ka tërhequr siguresën, gjë që ka çuar në shpërthimin e menjëhershëm të saj. E plagosura është dërguar menjëherë për në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, nga familjarët. Burime nga ky spital konfirmuan për "Shqip" se gjendja shëndetësore e së plagosurës është e rëndë. Po sipas këtyre burimeve mësohet se si pasojë e këtij shpërthimi 15-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e barkut, gjymtyrët e para dhe fytyrë. Policia konfirmoi se është ngritur menjëherë grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, ku do përcaktohet origjina e granatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›