Vodhi shtëpinë e xhaxhait, arrestohet nipi 20-vjeçar
Vjedh në bashkëpunim me një shok, banesën e xhaxhait, prangoset 20-vjeçari nga Marinza e Fierit. Burime zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se është arrestuar Donald Prifti, lindur e banues në fshatin Marinëz të Komunës Kuman në Rrethin e Fierit, pasi në bashkëpunim me shokun e tij, Klorent Zhupani, 19 vjeç, akuzohen për veprën penale të "vjedhjes së kryer në bashkëpunim". Të njëjtat burime sqarojnë se 20-vjeçari Donald Prifti është ndaluar në banesën e tij, ku edhe i është gjetur një pjesë e sendeve të vjedhura në banesën e të afërmit të tij, Vasil Prifti. Ky i fundit i është drejtuar policisë pasditen e së hënës dhe ka denoncuar se në banesën e tij në fshatin Marinëz kanë hyrë hajdutë, të cilët kanë marrë prej andej sende me vlerë. Pas denoncimit, policia ka nisur hetimet dhe ka rënë në gjurmët e nipit të Vasil Priftit, Donaldit. Kontrolli i policisë në banesën e këtij të fundit ka bërë që atje të gjendeshin disa sende të vjedhura, si televizori, antena satelitore dhe disa bizhuteri. Policia ka arrestuar 20-vjeçarin dhe gjatë marrjes së tij në pyetje është konfirmuar se vjedhjen ai e ka kryer në bashkëpunim me shokun e tij 19 vjeç, Klorent Zhupani. Policia ka shpallur në kërkim Zhupanin, ndërkohë që ka nisur procedimin penal për dy shokët hajdutë.