E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje me armë në qendër të qytetit, dy në pranga

Dy punonjës të bashkisë së qytetit të Kukësit, F.Cena dhe Z.Sopi, përkatësisht 36 dhe 32 vjeç, janë grindur mesditën e djeshme për motive të cilat policia i cilëson si banale, por duke rrezikuar jetën e njëri-tjetrit me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Kukësit, te "Shtëpia e oficerëve", në orën 12:00 të ditës së djeshme, kur qytetarët e ndryshëm pas krismave të armëve kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje dhe ka shoqëruar të dy personat në komisariat, ku po bëhen hetime për zbardhjen e ngjarjes. Të dy protagonistët e sherrit nuk pranojnë të kenë përdorur armët kundër njëri-tjetrit, pasi nuk janë lënduar asnjëri. Por burime të drejtorisë së policisë tregojnë se në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja pistolete dhe po hetohet për gjetjen e armës që ka realizuar shkrepjet. Të dy personave të paraburgosur nuk u është gjetur armë me vete dhe as në shtëpi gjatë një kontrolli që kanë bërë efektivët blu. I njëjti burim tregon se shkaku i sherrit ka qenë banal, ndërsa burime të tjera thonë se janë grindur për shkaqe pronësie. Rastet e përdorimit të armëve në qytetin e Kukësit nuk kanë qenë të rralla. Vetëm dy-tre muaj më parë një shtetas qëlloi kundër një drejtuesi vendor, por pa mundur ta shënojë në trup.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›