E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peng për një celular, në pranga autori i dytë

Arrestohet një nga pengmarrësit e një adoleshenti, i cili është dërguar në tunelet e Yzberishtit për një celular. Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se ka vënë në pranga Endri Agon, 21 vjeç, ndërkohë që një person tjetër është shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Sipas policisë, nga sektori i operacioneve speciale u krye arrestimi i 21-vjeçarit, i cili fshihej në një banesë te të afërmit e tij dhe ka qenë i dënuar më parë për "armëmbajtje pa leje" dhe "dëmtime të tjera me dashje". Kapja e tij u bë, pasi ky person ishte shpallur në kërkim në datën 10 qershor të këtij viti, sepse dyshohet që në datën 4 po të një muaji më parë, në bashkëpunim me Maksim Islamin, kanë kryer veprat penale të "heqjes së paligjshme të lirisë", "dëmtime të tjera me dashje" dhe "kanosjes" në bashkëpunim. Historia në fjalë ka të bëjë me pengmarrjen e Ornald Tanushit, 19 vjeç. Më 4 qershor të këtij viti, një 19-vjeçar është rrëmbyer dhe mbajtur peng, ku është keqtrajtuar për disa minuta për shkak të një celulari. Ai kishte marrë aparatin telefonik, por nuk e kishte kthyer më, kështu që disa persona e kanë rrëmbyer me një makinë, duke e dërguar në tunelet e Yzberishtit në Tiranë, ku e kanë keqtrajtuar me qëllim që ai të kthente celularin ose të jepte paratë. Ngjarja e rëndë është denoncuar disa ditë pasi kishte ndodhur dhe policia është lajmëruar nga vetë i dëmtuari, pasi është lënë i lirë. Bëhet fjalë për një konflikt që ka nisur te rruga "3 Dëshmorët", për të përfunduar në Yzberisht. Fillimisht, policia deklaroi se kishte shpallur në kërkim autorin kryesor të saj. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan në atë kohë se për këtë ngjarje janë njoftuar nga adoleshenti i lartpërmendur, kur është paraqitur në polici me shenja dhune në të gjithë trupin. Ornald Tanushi kishte denoncuar se Endrit Avdia, 28 vjeç, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje, kishte ardhur me një makinë, bashkë me disa shokë të tij, që nga policia janë identifikuar si Endri Ago dhe Maksim Islami. Te rruga "3 Dëshmorët" e kishin takuar dhe i kishin kërkuar celularin që u kishte marrë disa ditë më parë. Por i riu nuk e ka pasur, kështu që ata e kanë marrë me forcë, e kanë futur në makinë dhe e kanë çuar te tunelet e Yzberishtit. Kur e kanë futur brenda, e kanë kërcënuar se do e vrisnin nëse nuk u kthente celularin. I riu u ka premtuar se do t‘ua jepte shumë shpejt, megjithatë kjo nuk i ka bindur pengmarrësit, të cilët e kanë keqtrajtuar, duke e goditur me mjete të forta. Disa ditë më vonë, policia identifikoi edhe autorët e tjerë, por deri tani është arrestuar vetëm i dyshuari i djeshëm, Endri Ago.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›