E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në Zvërnec, shpëton Pylli i Sodës

Një zjarr ka rrezikuar pishat në afërsi të Pyllit të Sodës, në periferi të Vlorës. Zjarri i ndezur nga individë ende të paidentifikuar rreth mesditës së djeshme, ka bërë që qindra metra katrorë hapësirë të përfshihen nga flakët. Banorë të zonës së Zvërnecit kanë njoftuar menjëherë forcat zjarrfikëse, ndërkohë që dhjetëra banorë janë përpjekur me mjete rrethanore të mbrojnë pyllin e pishave nga zjarri që kishte rënë shumë pranë.

Zjarri ka shkrumbuar vetëm shkurre dhe fatmirësisht nuk janë shënuar dëme në njerëz apo dëme në pasuri private. Temperaturat e larta dhe papërgjegjshmëria e individëve ka bërë që zona në fjalë të jetë sërish e rrezikuar nga zjarret. Sipas ekspertëve të repartit zjarrfikës, zjarri i djeshëm duhet të jetë ndezur për të djegur mbeturinat në një shesh pranë pyllit. Policia po punon për identifikimin e zjarrvënësve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›