E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, grabiten 70 milionë lekë në një argjendari

VJEDHJET/ Drejtori i policisë vëren si shkak për shtimin e vjedhjeve gjendjen e keqe ekonomike në qytet


ELBASAN- Shtatëdhjetë milionë lekë ka qenë shuma e vjedhur në një argjendari në Cërrik, ku autorët kanë shfrytëzuar hyrjen nga një dyqan ushqimor për të mbërritur në të vetmin dyqan të floririt në këtë qytet.

Të informuar, hajdutët kanë zgjedhur orën dhe formën se si do të kryenin vjedhjen në argjendarinë e një shtetaseje, e cila nuk kishte siguruar as kasafortë për paratë, bizhuteritë dhe gjithçka me vlerë.


Ata kanë hyrë fillimisht në dyqanin ushqimor dhe më pas kanë hapur murin e brendshëm ndarës mes dyqanit dhe argjendarisë. Në bazë të deklarimeve të gruas në dyqan mungojnë 2,9 kg bizhuteri floriri, 1 500 000 lekë, 6000 dollarë kanadezë, 2000 euro dhe 250 karta rimbushëse. Nga përllogaritjet, shuma totale e vjedhjes arrin në 7 milionë lekë të reja. Kjo vjedhje rezulton ndër më të mëdhatë e tre muajve të fundit.


Vjedhësve nuk u ka shpëtuar as arka e dyqanit ushqimor me 23 mijë lekë të reja. Burime nga policia bëjnë të ditur se janë në rrugë të mbarë drejt autorëve të kësaj vjedhjeje dhe shumë shpejt ata do të ndalohen.


Ndërkohë, brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur identifikimi i autorit të vjedhjes të një bar-kafeje në lagjen "5 Maji" të qytetit të Elbasanit. Bashkim Zarellari, 30 vjeç, është identifikuar si autori i vjedhjes me thyerje të lokalit nga ku ka marrë një sasi të vogël parash, rreth 9 mijë lekë të reja.


Policia shton patrullimin


Ndërsa numri i vjedhjeve vazhdon të shtohet në rrethin e Elbasanit, nga ana e policisë dilet në përfundimin se shumica prej tyre janë vjedhje të pamenduara mirë nga adoleshentë, njerëz të varfër dhe endacakë.


Vetëm dy netë më parë në qytetin e Cërrikut u vodh një argjendari dhe një dyqan ushqimor. Ai që ka bërë një analizë të situatës ka qenë vetë drejtori i Policisë së Elbasanit, Aleks Hajdari. Megjithëse e quan situatën jo shumë shqetësuese, Hajdari thotë se janë vendosur disa masa për të qenë më vigjilentë.


"Duke parë këtë situatë, kemi shtuar patrullimin natën në qytet nga dy në tre patrulla për të parandaluar raste të tilla. Janë ngritur postblloqe në dy hyrje-daljet e Elbasanit dhe funksionojnë nga ora 11:00 e natës deri në 05:30 të mëngjesit.


Po kështu, po punohet me provat për të mbërritur tek autorët dhe zbulueshmëria është e kënaqshme, - shprehet Hajdari për gazetën "Shekulli".


Adoleshentët hajdutë


I pyetur lidhur shkaqet që sjellin këtë numër të madh vjedhjesh, Hajdari shpjegon se ka disa faktorë që ndikojnë, por Elbasani ka si specifikë vjedhjen ordinere nga varfëria dhe adoleshentët.


"Niveli i ulët ekonomik, përdoruesit e lëndëve narkotike janë kryesisht shkak në shumë vjedhje jo vetëm në Elbasan, por këtu bëhet një natyrë pak e veçantë që janë vjedhjet jo të studiuara. Të gjitha rastet janë adoleshentë deri në 18 vjeç, të cilët edhe i kanë përsëritur veprat e tyre penale.

Edhe në rastet e objekteve fetare kanë qenë të mitur të cilët kanë mundur të hyjnë pa u vënë re dhe kanë marrë sasi të vogla parash, - përfundon Hajdari. Ndërsa sipas mendimit të psikologëve një ndikim të madh në përhapjen e fenomenit në Elbasan luajnë kushtet ekonomike, por edhe drejtësia. Hajdutët e vegjël tashmë nuk do të dënohen rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›