E Diel, 1 Nëntor 2026

Dehet me alkool adoleshentja, zgjohet në spital me frikën e përdhunimit

20/01/2009  Ekzaminimet hedhin poshtë dyshimet

ELBASAN- Një 15-vjeçare është gjendur në spital pasi kishte konsumuar alkool me disa të rinj në një bar periferik të qytetit. Vajza me inicialet L. M. me banim në lagjen “Partizani” të qytetit të Elbasanit është gjendur në një lokal periferik me 3 të rinj shtetasit G. P. 18 vjeç dhe K. C. që të dy me banim në lagjen “Haxhias” dhe një tjetër person nga Durrësi, gjeneralitetet e të cilit ende nuk dihen. Sipas dëshmive të punonjësve të lokalit, sasia e alkoolit ka qenë shumë e madhe aq sa 15-vjeçarja nga alkooli i tepërt ka humbur ndjenjat. Të shqetësuar shoqëruesit e saj e kanë dërguar në spital ku edhe vajza është përmendur dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm. Kur ka parë se ku kishte përfunduar ajo ka kërkuar të lajmërohet policia pasi dyshonte se mund të ishte përdhunuar. Ajo ka thënë se nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale më parë dhe ka menduar se djemtë që ishin me të kanë abuzuar. Nisur nga ky denoncim seksioni përkatës ka kërkuar ekzaminimin mjekësor të vajzës. Pas këtij ekzaminimi ajo rezultoi se nuk ishte dhunuar seksualisht. Ndërkohë policia thjesht e ka regjistruar si ngjarje, por nuk ka ndaluar asnjë pasi nuk kishte vepër penale. E mitura është shoqëruar për në banesën e saj pranë të afërmve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›