E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deja Vu-ja sovjetike e Obamës

Kjo është një situatë mjaft e ndërlikuar. Kështu kishte deklaruar pak kohë më parë, një vendimmarrës teksa debatonte për strategjinë se si do të veprohet më tej në Afganistan. "Kemi hyrë, por si do të dalim. Kjo po na shkakton kokëçarje. Natyrisht që nuk mund të largohemi shpejt, pa menduar për asgjë tjetër dhe duke fajësuar qeverinë e kaluar për fillimin e luftës", shtoi ai. Kjo dilemë mund të duket e njohur, në momentin kur administrata e Barack Obama-s po shqyrton kërkesën e Gjeneralit Stanley McChrystal, për dërgimin e 40 mijë ushtarëve shtesë. Nga ana tjetër, këto komente janë bërë edhe nga Mikhail Gorbachov, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjatë debatit që u zhvillua në Kremlin, në vitet 1986 dhe 1987. Moska përballej me disa dilema të njëjta, tetë vjet pasi që Armata e Kuqe e pushtoi Afganistanin, me të cilat sot përballet edhe Obama, tetë vjet pas hyrjes së forcave amerikane në Afganistan.

Në retrospektivë, debati sovjetik për Afganistanin ofron disa paralele mjaft të pakëndshme. Arkivi për Siguri Kombëtare në Universitetin "George Washington" së fundi ka përkthyer kronika të diskutimeve sovjetike, kryesisht të shkresave të përmbledhura nga Anatoly Cherniev, atëbotë bashkëpunëtor i Gorbachov-it për politikë të jashtme. Përderisa SHBA insiston se nuk është forcë okupatore, siç kanë qenë sovjetikët, që të dy misionet janë përballur me shumë sfida të njëjta. "Ne duhet të pranojmë se përpjekjet tona, të bëra gjatë tetë viteve të fundit, nuk kanë prodhuar rezultatet e pritura", theksoi një komandant i lartë, në letrën dërguar në gusht të vitit 1987 ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Dmitri Yazov-it. "Burimet e mëdha materiale dhe humbjet e konsiderueshme nuk kanë prodhuar rezultatet e pritura", u theksua më tutje. (Gjenerali McChrystal, së fundi, kishte vlerësuar se afganët pas tetë viteve janë të zhgënjyer, pasi nuk po e shohin përparimin që kanë pritur).

Gorbachov, i cili u ngrit në pushtet në vitin 1985, gjashtë vjet pas pushtimit sovjetik në Afganistan, ishte i hutuar nga situata që kishte trashëguar nga paraardhësit e tij. Gjithashtu, edhe Obama: "Për gjashtë vjet, Afganistanit i janë mohuar burimet për të cilat ka nevojë, për shkak të luftës në Irak", deklaroi Obama në mars. "Për të dalë nga Afganistani, afganët duhet të jenë në gjendje të kujdesen për sigurinë e tyre", deklaroi në qershor sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates. Këtë e besonin edhe sovjetikët para dy dekadave. Sepse edhe misioni amerikan, edhe Armata e Kuqe nuk kanë pasur ushtarë të mjaftueshëm për të kontrolluar të gjitha pjesët e vendit. "Pas shtatë viteve në Afganistan, nuk ka asnjë pëllëmbë të vendit që nuk është shkelur nga ushtarët sovjetikë. Por menjëherë pas largimit të tyre, armiku sërish vendos kontrollin", deklaroi në nëntor 1986, mareshali Sergei Akhromeyev. Edhe Pakistani ka zënë një vend të rëndësishëm si në diskutimet e Shtëpisë së Bardhë, ashtu edhe ato të Kremlinit, edhe pse përfundimet dallojnë. "Kurrë nuk do të jemi në gjendje të mbyllim kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, prandaj duhet t‘i japim fund kësaj lufte", pati theksuar Gromyko, më 1987-n. ("Kemi një qendër të sigurt të militantëve në shtetin fqinj, e cila po zhvillon komplote kundër amerikanëve dhe shteteve perëndimore dhe ajo duhet të eliminohet", vlerësoi muajin e kaluar shefi i ushtrisë amerikane, admirali Mike Mullen). Në shkurt 1988, Gorbachov më në fund u dorëzua. Por ai e ngushëlloi vetën me besimin, se vakumi, i krijuar pas tërheqjes sovjetike, nuk do të plotësohet nga armiku kryesor i Moskës. "Amerikanët nuk do të dërgojnë forca të armatosura, nëse ne largohemi nga Afganistani", u pat thënë Gorbachov, atëbotë, kolegëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›