E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kutitë hapen për transparencë, rezultati nuk ndryshon më"

Konstitucionalisti Niazi Jaho, një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, analizoi në një intervistë për BBC-në përputhjen me ligjin themeltar të kërkesave të PS-së për hapjen e kutive.

Zoti Jaho, sa të bazuara në ligj janë qëndrimet e palëve?

Kodi Zgjedhor me konsensusin e gjerë të partive më të mëdha është miratuar në dhjetor të vitit 2008 dhe për herë të parë në këtë kod u është lënë e drejta dy anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht se këta janë propozuar nga mazhoranca apo opozita që të kërkojnë marrjen e provave, si dhe rinumërimin apo rivlerësimin e votave. Mesa më kujtohet këto janë 2 nene, neni 136 dhe 138 të kodit. Në këto nene thuhet afërsisht kështu: me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët. Po ashtu, thuhet se në rast se kërkesa për rinumërim ose rivlerësim të votave bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, KQZ-ja është e detyruar të bëjë rinumërimin ose rivlerësimin e votave. Siç dihet, KQZ-ja i ka refuzuar këto kërkesa që janë bërë nga dy anëtarët, me arsyetimin se nuk janë të bazuara, nuk ka të dhëna, nuk ka prova për të miratuar një kërkesë të tillë. Kam mendimin se KQZ-ja në këto raste ka gabuar, sepse përmbajtja e neneve që përmenda më lart e detyron KQZ-në të pranojë kërkesën e dy anëtarëve, domethënë ligjbërësi që ka miratuar kodin nuk e ka lënë këtë çështje në çmimin e KQZ-së ta pranojë ose jo këtë kërkesë. Le të marrim një shembull. Ju e dini që Parlamenti ka të drejtë të ngrejë edhe komisione hetimore për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Në Kushtetutë, mesa më kujtohet, thuhet se kur këtë kërkesë e bën 1/5 e deputetëve, ai komision ngrihet detyrimisht, pasi Kuvendi nuk ka të drejtë të refuzojë ngritjen e komisionit. E njëjta situatë është dhe me KQZ-në në këtë rast, pasi ligji nuk e lë në çmimin e KQZ-së kërkesën, por ligji thotë detyrohet ta miratojë.

Shtatë anëtarët e KQZ-së e firmosën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri?

Kjo nuk ka rëndësi, pasi nuk ka asnjë lidhje me këtë. Derisa çështja kishte kaluar në KQZ dhe nga KQZ-ja në kolegj, ai konfirmon një fakt që ka marrë formë të prerë.

Po a e parashikon Kushtetuta e Shqipërisë hapjen e kutive të votimit?

Jo, Kushtetuta nuk merret me hapjen e kutive.

Pra nuk ka një kërkesë antikushtetuese nga opozita?

Jo, në Kushtetutë nuk përmendet fare diçka e tillë. Në Kushtetutë thuhet komisioni hetimor ngrihet për të shqyrtuar një çështje të veçantë dhe çështjet e veçanta mund të jenë të ndryshme. Rëndësi ka objekti, se për sa i përket komisionit hetimor, nëse ngrihet për çdo lloj çështje, nuk është në dorën e Kuvendit ta ngrejë apo jo është në dorën e kërkesës së 1/5 së deputetëve.

Në rastin konkret kërkesa e opozitës për të hapur kutitë e votimit në katër qarqe të caktuara ka një vendim gjykate…

Ajo është një çështje tjetër, që nuk ka lidhje me Kushtetutën, dhe problemet e Kodit Zgjedhor. Vendimi i gjykatës është i formës së prerë dhe rezultati pa u atakuar vendimi gjykatës nuk ndryshon. KQZ-ja vendosi, çështja u ankua në Kolegjin Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor gaboi apo jo, ka dhënë një vendim të formës së prerë dhe rezultati që është dhënë është i pandryshuar.

Pra dhe nëse do të kemi një hapje të kutive të votimit me një vendim politik, a do të kemi ndryshim rezultati?

Ajo është një problem, le të themi politik, problem transparence, nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›