E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dejiang, Berishës: Nën drejtimin tuaj Shqipëria bëri progres



Zëvendëskryeministri kinez, Dejiang, theksoi dje në Tiranë se gjatë udhëheqjes së Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, Shqipëria ka bërë progres shumë të rëndësishëm në të gjitha fushat. Kjo në veçanti për sa i përket zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të saj, ruajtjes së marrëdhënieve të mira me vendet e tjera dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit tregtar, ekonomik e të gjithanshëm me këto vende, si dhe hapat e rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha priti dje delegacionin zyrtar të qeverisë kineze, të kryesuar nga zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës, z. Zhang Dejiang. Ky i fundit e siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria kineze do të punojë për nxitjet e ardhjes së turistëve kinezë në Shqipëri, për të shijuar bukuritë natyrore të vendit tonë. Në takim u ra dakord që ekipet e ekspertëve të të dyja palëve të fillojnë e të punojnë intensivisht për të konkretizuar projekte bashkëpunimi në fusha si energjia, bujqësia, arsimi, turizmi, zonat e lira energjitike. Gjithashtu, në takim u ra dakord për hapjen e Institutit të Konfucit në Tiranë, si një hap i madh përpara për bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta për mësimin e dy gjuhëve nga studentët e vendeve reciproke. Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy qeverive, të cilat bazohen në ndjenjat e miqësisë tradicionale që ekzistojnë mes dy popujve. Ai e falënderoi atë për ndihmën e vazhdueshme që qeveria dhe populli kinez i kanë dhënë Shqipërisë, si në të shkuarën, por edhe gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, Kina do t’i ofrojë Shqipërisë ndihmë në formën e kredive të buta për sektorin e bujqësisë, si dhe do të nxisë investitorët kinezë të eksplorojnë mundësitë për biznes në Shqipëri. Kjo, falë klimës së favorshme për biznes, të krijuar nga qeveria shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›