E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI marrin Bashkinë e Lushnjes para protestës së PS-së



Këshilli Bashkiak i Lushnjes ka shkarkuar nga detyra me shumicë votash kryetaren dhe nënkryetarin. Shkarkimi i Vasilika Hoxhës dhe Vladimir Hajdarit, të dy përfaqësues të Partisë Socialiste, erdhi pas një votëbesimi të kërkuar nga këshilltarët e LSI–së, vetëm pak orë para mbajtjes së mitingut të radhës të Edi Ramës në këtë qytet. Sipas këshilltarëve të LSI–së, dy drejtuesit e këshillit kanë bërë shkelje të rënda, në konflikt të hapur interesi. Por votimi është shoqëruar me debate të ashpra mes këshilltarëve socialistë nga njëra anë dhe atyre të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për mënyrën e votimit. Nga 35 këshilltarë që morën pjesë në votim, 23 votuan pro shkarkimit. Po me shumicë votash, në postin e kryetarit është zgjedhur Gazmend Koreshi, përfaqësues i Partisë Demokratike. Barie Dymishi e LSI–së u zgjodh nënkryetare. Ndërkohë mitingu i radhës i PS-së dhe i aleatit të djathtë, Spartak Ngjela, ka shënuar dhe një herë këmbënguljen për të hapur kutitë e votimit, duke mos pranuar të fusë deputetët në Kuvend deri në arritjen e një kushti të tillë. Ai ka ftuar lushnjarët që të shkojnë në Tiranë më 20 nëntor në protestën e radhës së PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›