E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dejvid Bekam, 6 javë larg futbollit

Ndeshja e së djelës përballë Getafes ka qenë fatale për mesfushorin e Realit të Madridit, Dejvid Bekam. Anglezi është dëmtuar në njërin ligament të gjurit të djathtë që do ta lërë jashtë fushave të futbollit për gati 6 javë. Konsulta e bërë dje nga stafi mjekësor i klubit madrilen pothuajse i ka shuar shpresat e Bekam për një rikthim të mundshëm në kombëtare në përballjet e Euro 2008 gjatë këtij muaji me Izraelin dhe Andorrën. Gjithashtu Bekam do të mungojë edhe në ndeshjen "gala" të 15 marsit që do të zhvillohet në Old Traford mes Mancester Junajtid dhe një përfaqësuese europiane. Pavarësisht dëmtimit, mesfushori është i sigurt se do të luajë sërish për Realin përpara se të transferohet në verë te amerikanët e LA Galaxy. Ndërkohë të afërt të futbollistit kanë pohuar për tabloidin anglez "The Sun" se Bekam do të veshë fanellën e kombëtares anglezes në sfidën e 6 qershorit kundër Estonisë. "David në këtë moment ka rënë shumë moralisht për shkak të dëmtimit. Ai do të mungojë në mjaft ndeshje në kampionat. Por e rëndësishme është se Bekam duhet të gëzohet, pasi ka për t'u shëruar shpejt. Ai ka qenë me shumë fat pasi dëmtimi i tij nuk ishte shumë serioz".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›