E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panathinaikos gati per te "burgosur" Ninin

Nga Greqia, Kastriot Gjini
Sotir Nini është kthyer padyshim figura e futbollit për vitin 2007 në kampionatin grek, duke mos harruar se mesfushori i cili nuk ka mbushur akoma të 17-tat ka vetëm 2 muaj karrierë në futbollin profesionist. Pavarësisht këtyre fakteve, mesfushori me origjine shqiptare ka arritur të tërheqë vëmendjen e të gjithëve brenda dhe jashtë Greqisë. Janë dida nga skuadrat titane të futbollit europian, të cilat janë vënë në gjurmët e tij. E fundit qe ka bërë një kërkesë zyrtare për himarjotin Nini ishte Roma. Skuadra greke e Panathinaikosit i ka bërë 2 kontrata profesionale në këtë kohë kaq të shkurtër, por me sa duket të dyja palët po shkojnë drejt firmosjes së kontratës së tretë (e cila mund të jetë firmosur që tani). Arsyeja është shumë e thjeshtë, kur Nini firmosi kontratën e dytë, nuk kishte asnjë kusht që mund ta mbante Ninin në këtë skuadër, dhe kjo mund të jetë fatale për Panathinaikosin nëse Nini vendos të largohet. Sipas ligjit të FIFA, cdo futbollist që nuk ka mbushur akoma 18 vjec, ka të drejtë të largohet nga skuadra ku ka firmosur, duke paguar vetëm një shumë simbolike, nëse futbollisti beson se kishte bërë gabim në zgjidhjen e tij profesionale. Pas këtij ligji janë vënë shumë skuadra angleze, te cilat u ka shërbyer shumë ky ligj dhe kanë marrë shërbimet e shumë futbollistëve të akademive të ndryshme thuajse falas. Për këtë arsye skuadra e Panathinaikosit dëshiron të firmosi kontratën e 3-të dhe të vendosë kushte në kontratë, që ta sigurojë Ninin. Edhe nëse ai vendos të largohet, skuadra do të fitojë një dëmshpërblim të majmë. Jo se himarjoti Nini po mendon te largohet, por biznesmenët grekë duan që ta kenë të sigurt "diamantin" e tyre, kur dihet se "joshjet" nga skuadra e mëdha janë shumë domethënëse.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›