E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dekani i mjekësisë po shkel udhëzimet e rektorit”

 

“Dekani i Fakultetit të Mjekësisë po shkel hapur udhëzimet e Rektorit të Universitetit të Tiranës”. Me këtë pretendim studentët e këtij fakulteti protestuan sërish dje për heqjen e stazhit. Të veshur me bluza të bardha mjekët e ardhshëm kanë bojkotuar mësimin, duke kërcënuar se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe ditët në vijim. “Me kërkesën tonë, Rektori i Universitetit të Tiranës ka nxjerrë një udhëzim ku parashikohet që viti i ri akademik për studentët e vitit të tretë dhe të katërt do të bazohet në rregulloren e vjetër. Por ky udhëzim nuk po merret parasysh nga dekani, i cili shkel ligjin për arsimin e lartë”, deklaruan përfaqësuesit e studentëve. Sipas tyre, qëndrimi i dekanit, Alfred Priftanji, është krejtësisht i papranueshëm. “Me votat tona mban sot postin që ka. Këto vota i ka marrë duke bërë një sërë premtimesh por asnjërin nuk ka mbajtur”, theksuan studentët. Ata tashmë që prej disa ditësh kanë firmosur edhe një peticion ku kërkojnë, veç heqjes së stazhit, edhe largimin e kreut të fakultetit. Nga sa bëjnë me dije studentët, prej dy vitesh stazhi ishte hequr, por në prag të fillimit të vitit të ri akademik u është bërë me dije se përsëritja e vitit, nëse nuk merr provimet do të aplikohet sërish. Kjo i ka irrituar së tepërmi, pasi me kushtin e ri rezultojnë “mbetës” më shumë se 280 prej tyre. “Ne duhet të na informonin përpara sezonit të provimeve për këtë rregull të ri. Vendosja në mënyrë arbitrare nga dekani i fakultetit, detyron jo pak prej nesh të humbin një vit akademik”, u shprehën studentët gjatë protestës. Ata pohuan se kanë mbështetjen edhe nga pjesa dërrmuese e pedagogëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›