Inxhinieri arrestohet pas dënimit për drogë
TIRANE - Arrestohet në kryeqytet inxhinieri i dënuar për trafik droge në Itali. Blendi Allushi, 31 vjeç, banues në rrugën “Irfan Tomini”, në Tiranë, është ndaluar mbrëmjen e të enjtes nga forcat e antidrogës së kryeqytetit dhe njësia operacionale. Lajmi është bërë i ditur për mediat mesditën e djeshme nga policia, ndërsa mësohet se inxhinieri i dënuar me 9 vite burg në Milano, u ndalua në një qendër interneti. Në momentin e ndalimit prej oficerëve të policisë, ai nuk ka ndaluar, nuk ka kundërshtuar aspak blutë, të cilët i kanë treguar edhe vendimin e Gjykatë së Tiranës. Kjo e fundit më 30 shtator të këtij viti kishte marrë një vendim arresti në mungesë ndaj tij, pas një kërkesë të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme. Në vitin 2004, sipas burimeve të policisë, ai është shpallur në kërkim dhe më pas dënuar nga drejtësia e vendit fqinj, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim. Ai është dënuar 9 vite, për krimin e trafikut të drogës në mungesë. Që prej asaj kohe, sipas burimeve, ai mendohet se kishte braktisur Italinë, për t’u strehuar në Shqipëri. Policia pas arrestimit i komunikoi vendimin e Gjykatës së Tiranës.