E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen 5 kompani debitore të fajdeve

 

Trazhgim Sokolaj

Administratorët e fajdeve dhe gjykatat shqiptare “zbulojnë” pesë kompani të huaja që kanë detyrime tek ish-skemat piramidale shqiptare në vlerën e 400 milionë lekëve. Subjektet me veprimtari tregtare jashtë Shqipërisë ishin etiketuar si debitore të fajdeve shqiptare që prej vitit 1999 ndërsa ditët e fundit janë shpallur se kanë borxh ndaj ish-skemave piramidale “Kamberi” dhe “Gjallica”. Pjesa më e madhe e debiterëve të jashtëm të këtyre kompanive veprojnë në Itali ndërsa ka sipërmarrje të fuqishme ndërkombëtare me qendër në Kanada dhe në Turqi të cilat kanë detyrime për të shlyer në arkën e ish-kompanive rentiere “Kamberi” dhe “Gjallica”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave administratorët e Grupit Mbikqyrës të Fajdeve i janë drejtuar gjykatës kohët e fundit duke paraqitur të gjitha provat e nevojshme për borxhet që kompanitë e huaja kanë marrë dhe nuk kanë kthyer tek piramidat shqiptare. Gjykatat pasi kanë marrë në shqyrtim provat e paraqitura nga administratorët kanë vendosur shpalljen e kompanive të huaja debitore ndaj ish-skemave piramidale shqiptare. Në këtë mënyrë i është hapur rruga arkëtimit të rreth 400 milionë lekëve në llogaritë e ish-shoqërive “Kamberi” dhe “Gjallica”. Pas arkëtimit të borxheve që kompanitë e huaja kanë ndaj këtyre ish-skemave huamarrëse, paratë e përfituara nga shlyerja e borxheve do të përdoren për kompensimin e humbjeve që pësuan qytetarët shqiptarë pas falimentimit të shoqërive piramidale në vitin 1997. Sipas burimeve zyrtare gjatë aktivitetit të tyre, skemat piramidale shqiptare kishin hyrë në mardhenie tregtare me kompani që vepronin jashtë vendit duke bërë pagesa të ndryshme për shërbime. Kompanitë e huaja kaë marrë shumat e konsiderueshme financiare që ishin mbledhur nga qytetarët shqiptarë dhe më pas jo vetëm që nuk kanë përmbushur “porositë” por nuk kanë denjuar të kthejnë paratë. Duket se moskthimi i shumave ka ardhur edhe prej faktit se ish-skemat piramidale nuk i kërkuan kurrë këto borxhe për shkak se falimentuan dhe më pas drejtuesit e tyre u përndoqën nga drejtësia për akuzat e vjedhjes me anë të mashtrimit me shumë se një herë dhe në shuma të mëdha. Fenomeni i nxjerrjes së shumave dhe kapitaleve jashtë vendit nga skemat piramidale shqiptare ishte i përhapur në të gjitha subjektet që ushtruan këtë veprimtari. Sipas burimeve zyrtare, nëse shitja e aseteve të ish-skemave piramidale do të bëhej me ccmimet reale dhe vlerësime objektive dhe nëse do të ktheheshin në vendin tonë të gjitha shumat që ish-bosët e piramidave nxorën jashtë vendit në formën e transfertave apo blerjeve, kompensimi i kreditorëve shqiptarë që humbën pasurinë në fajde, do të ishte në jë masë rreth 80 për qind.

Debitorët e rinj

1. “Carlington Sales Company”, Kanada
debitor tek “Kamberi” në shumën 1972800 lekë

2. Z.Petrocelli, Itali,
debitor tek “Kamberi” në shumën 64954106 lekë

3. Kompania “Sabo sa”,
Debitore tek “Gjallica” në shumën 197280000 lekë

4. “Ziveri International SRL”,
Debitore tek “Kamberi” në shumën 94003920 lekë

5. “Restora”, Itali
Debitore tek “Kamberi” në shumën 45640196 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›