Procedimi i dy gjykatësve, KLD-ja mblidhet në gjykatën e rrethit Dibër
TIRANE - KLD-ja do të mblidhet në Peshkopi për të shqyrtuar procedimin disiplinor për dy gjyqtarë si dhe emërimin e studentëve të magjistraturës nëpër gjykata për të kryer stazhin e shkollës. Burime të KLD-së pohojnë se kanë vendosur ta mbledhin Këshillin nëpër rrethe, një nismë kjo e deklaruar më parë nga drejtuesit e këtij institucioni, si një simbolikë e përçuarjes së drejtësisë në të gjithë territorin e vendit. Sipas KLD-së rendi i ditës së mbledhjes së të premtes është shqyrtimi i procedimit disiplinor të gjyqtarit të Matit, Murat Lleshi, i cili aksidentoi me makinë gazetarin Ksenofon Ilia në maj të këtij viti, si dhe procedimin gjyqtares Mirela Mishgjoni, e shkarkuar shumë vite më parë nga KLD-ja por që këtë vendim e ka prishur Gjykata Kushtetuese. dy ditë më parë anëtarëve të KLD-së u është komunikuar rendi i ditës së mbledhjes si dhe faktio që kjo mbledhje do të zhvillohet në Gjykatën e Peshkopisë në orën 12:00 të së premtes. Në këtë mbledhje pritet të marrë pjesë Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe të gjithë anëtarët e tjerë të KLD-së, përfshi edhe kryetaren e sapozgjedhur të Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, i cila pritet të dekretohet nga kreu i shtetit në këtë detyrë. Po kështu pohohet se është njoftuar edhe ministri i drejtësisë për të marrë pjesë në këtë mbledhje. Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Burrelit Murat Lleshi nisi në maj të këtij viti, kur aksidentoi me makinë gazetarin Ksenofon Ilia e emisionit investigativ “Fiks Fare”, i cili ndodhej duke kryer detyrën e vet. Gazetari u godit në të dyja këmbët dhe ndërhyrja mjekësore bëri që të mos rrezikohej nga dëmtime të pariparueshme. Ndërsa gjyqtarja Mishgjoni, e cila rezulton të jetë gjetur me shkelje në proceset e gjykuara nga ajo, është dërguar për t’u shkarkuar nga KLD-ja në vitin 2001. Kërkesën e ka paraqitur ministri i atëhershëm i Drejtësisë, por gjykatësja e thirrur dy herë nga Këshilli kishte dorëzuar raporte mjekësore afatgjata me diagnozë neurozë depresive dhe sindromë depresive. Herën e tretë gjyqtarja ka njoftuar me telegram KLD-në, se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nuk mund të ishte e pranishme në këtë mbledhje, duke paraqitur dhe një raport mjekësor. Pas kësaj KLD, në mungesë të Mishgjonit, ka vendosur zhvillimin e seancës dhe shkarkimin e saj nga detyra. Por ajo i është drejtuar Gjykatës së Lartë, e cila e ka lënë në fuqi vendimin, ndërsa Kushtetuesja duke argumentuar se vendimi përmban shkelje të së drejtës së gjyqtares për një proces të rregullt ligjor, e ka prishur këtë dhe ka urdhëruar “rigjykimin”. Por që nga viti 2004 dosja ka mbetur në KLD, ndërsa është vënë në lëvizje plot 4 vjet më vonë ku gjyqtarja Mishgjoni ka dhënë shpjegime para anëtarëve të Këshillit. Tashmë në këtë mbledhje pritet që KLD-ja të dalë me një vendim për këtë gjyqtare. fa.ma.