Pengmarrësi i fëmijës: E bëra për t’u hakmarrë, pendohem
LEZHE – Pengmarrësi i fëmijës 6 vjeç shfaq pendesë për krimin e kryer. I bindur se tashmë pendesa nuk kishte vlerë, ai është shprehur se “e gjithë historia më plasi në dorë”. Sipas policisë, Agim Marku, i ripyetur për ngjarjen i është përmbajtur së njëjtës thënie. I riu pohoi se gjithçka e kishte kryer për t’u hakmarrë me babanë e fëmijës, Anton Prenga, pasi ata kishin të njëjtën të dashur. Pikërisht xhelozia e kishte çuar Markun të kryente një krim të tillë, deri në mbajtjen peng 24 orë të një fëmije vetëm 6 vjeç. “Në kohën që unë isha në burg, Anton Prenga kishte krijuar lidhje me të dashurën time. Ai donte ta trafikonte atë, ndërsa unë e doja për t’u martuar” mësohet të jetë shprehur 25-vjeçari në polici. E dashura e tij rezulton të jetë e martuar. Por kjo nuk e ka penguar atë të pranojë lidhjet e saj paralele edhe me Gëzim Markun edhe me Anton Prengën. Burime të policisë bënë të ditur se ngjarja precipitoi pa ndonjë pasojë fatale, falë edhe një miku të pengmarrësit, i cili “i infiltruar” nga policia negocioi nëpërmjet telefonit me 25-vjeçarin. Të njëjtat burime pohuan se policia ra në gjurmët e “negociatorit”, falë përgjimeve të telefonatave. Pasi Gëzim Marku fshehu fëmijën në një shtëpi të braktisur, në Gjadër të Lezhës, ai i telefonoi mikut të tij që kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu për armëmbajtje, Astrit Lusha. “Kam marrë një fëmijë peng. Çfarë të bëj me të”, mësohet t’i ketë thënë Marku mikut të tij, Lusha. Ky i fundit, ka hedhur dyshime se bisedat e tyre mund të ishin përgjuar. Në këto kushte, ai i telefonon vetë policisë. Blutë i kanë kërkuar atij të negocionte me pengmarrësin, në mënyrë që fëmijës të mos i ndodhte gjë e keqe. Lusha pranoi bashkëpunim deri në momentin e lirimit të fëmijës. Por nuk u “infiltrua” që të fuste në grackën e policisë mikun e tij, i cili gjithsesi, u arrit të arrestohej disa minuta pas lirimit të fëmijës. r.n