E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikat: Të varfër, më shumë se 14% e shqiptarëve

 

Rreth 14% e popullsisë në vendin tonë jeton në varfëri të skajshme. Shifrat u bënë publike dje në ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. Zv/Ministria e Punës, Marjeta Zaçe, gjatë  një konference për shtyp nënvizoi se janë bërë përpjekjet maksimale për të zbutur këtë fenomen. “Këtë vit trajtohen me Ndihmën Ekonomike 93 mijë familje, nga 114 mijë që përfitonin në vitin 2007. Kjo do të thotë se niveli i varfërisë është ulur me rreth 19%”,tha Zaçe. Sipas saj, nga buxheti i shtetit për programin e asistencës sociale këtë vit janë dhënë 3.5 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë që ishin një vit më parë, ose 34% më shumë fonde për mbulimin e varfërisë. “Edhe rritja e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar ka ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë. Vetëm në vitin 2008, me një paketë të posaçme, u mbështetën 105 mijë persona me aftësi të kufizuara me 500 milionë lekë. Pagesa e aftësisë së kufizuar arriti me 8 700 lekë në muaj ose afro sa pensioni minimal në shkallë vendi”, tha Zaçe. Ajo shtoi se synimi i Ministrisë së Punës është që brenda pesë viteve të ardhshme të katërfishojë Ndihmën Ekonomike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›