E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urologjia, 300 ekspertë evropianë në Shqipëri

 

ZIRINA LLAMBRO

Mjekët më të njohur të Evropës referuan dje në Konferencën ndërkombëtare të urologjisë. I mbajtur për herë të parë në vendin tonë, ky aktivitet mblodhi rreth 300 specialistë të fushës. Veç vendeve të zhvilluara, në fokus ishin shpeshtit e sëmundjeve të veshkave dhe prostatës në vendet e rajonit, si dhe aplikimi i metodave më të avancuara në trajtimin e tyre. Shoqata shqiptare e urologjisë prezantoi edhe një revistë shkencore me punime të mjekëve tanë e të huaj, e cila botohet për herë të parë. “Kam kënaqësinë që të prezantoj këtë botim ku do t’u jepen një sërë shansesh mjekëve të rinj, për të lançuar studimet e tyre mjekësore. Këtë revistë e kemi adoptuar nga shoqata Evropiane e urologjisë, ku shkruajnë mjekët më në zë”, u shpreh kreu i shoqatës Flamur Tartari. Dita e dytë e kongresit do të vazhdojë sërish sot, ditën e dytë të punimeve në  ambientet e hotel “Tirana Internacional”.
Prostata
Infeksionet, kanceri i prostatës, ishin temat kryesore mbi të cilat referuan dje mjekët urologë. Nga të dhënat e publikuara rezulton se “Sindroma e Prostatës”, infeksion që prek prostatën dhe rrugët urinare në vendin tonë po haset gjithnjë e më shpesh mbi moshën 35-vjeçare. Sipas mjekëve, është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi, pasi neglizhencat mund të çojnë edhe në kancer. “Rreth 65% deri në 75% e pacientëve të prekur nga kanceri i prostatës riskojnë të zhvillojnë metastaza kockore, që çojnë deri në invaliditet të tyre”, nënvizohet në studimet e mjekëve. Shkaqet kryesore të “Sindromës së prostatës” janë irritimet kimike dhe mikroorganizmat prezente, që shkaktojnë infeksionin. Vitin e kaluar janë diagnostikuar rreth 1054 raste të reja me prostatë në vendin tonë. “Ndërsa për këtë vit kemi rreth 380 raste që kanë shfaqur shenja të prostatit kronik dhe vijojnë të mbahen në trajtim”, u shpreh Flamur Tartari në referimin e tij.
Veshkat
“Gurët në veshka janë sot problemi më i madh mjekësor dhe social. Afro 15% e burrave dhe 6% e grave bëjnë gurë në veshka, të paktën një herë në jetën e tyre”, thekson mjeku nefrolog Alekta Koreshi në referimin e tij. Ai nënvizon se vetëm në Tiranë shtohen çdo vit 700 pacientë të rinj me veshka. Faktorët kryesorë të shfaqjes së gurëve në veshka janë predispocicioni gjenetik apo një dietë jo e mirë ushqimore. Sipas mjekëve, marrja e sa më shumë lëngjeve ul riskun e gurëve në veshka. “Redukto, ushqimet me përmbajtje të lartë kalciumi, proteinat shtazore, shmangu shtesave me vitaminë C”, janë disa nga këshillat moderne të mjekëve për të evituar shfaqjen e gurëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›