Pronat, 15 thika kushëririt, në kërkim autori
Autori u largua menjëherë pas ngjarjes në drejtim të paditur, ndërsa u identifikua pak kohë më pas nga uniformat blu
BERAT- Është masakruar me thikë një punonjës i komunës Kutalli të rrethit të Beratit, ndërkohë që ndodhet në duart e mjekëve nën mjekimin intensiv në spitalin e Beratit, por ende në gjendje kritike për jetën. Burime të policisë lokale u shprehën se Përparim Selami goditi 15 herë me thikë në trup kushëririn e tij Bujar Selami dhe më pas u largua me të shpejtë nga ngjarja. Identifikimi i autorit u bë shumë shpejt, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për çështje pronësie mes viktimës dhe autorit të plagosjes, që është edhe i afërm i tij, duke mos përjashtuar pista të tjera.
Bujar Selami, punonjës i komunës Kutalli u plagos rëndë mesditën e djeshme në ambientet e institucionit ku punonte. Rreth orës 11:00 ai ishte në vendin e tij të punës dhe u thirr nga dritarja nga kushëriri i tij Përparim Selami. Ky i fundit i kërkoi që të sqaronin një mosmarrëveshje që kishin mes tyre për një pronë. Pas kësaj, Bujari doli nga zyra dhe vetëm pak minuta më pas u gjet i gjakosur në tokë. Thirrjet e 45-vjeçarit bënë që kolegët e punës të reagojnë dhe të afrohen, në një kohë që banorë të fshatit panë Përparimin që të largohej me shpejtësi nga pjesa e pasme e godinës. Me urgjencë, Bujari u dërgua për në spitalin e Beratit ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale. Megjithatë, ende ai ndodhet në rrezik për jetën.
Mjeku kirurg Eduart Bejko u shpreh se në trupin e Bujarit u gjetën 15 plagë thike. Ai ka dëmtime në gjoks, ku si pasojë i është prekur një pjesë e mushkërisë, ka thyer dy brinjë, por ka edhe plagë të rënda në bark e në gjymtyrë. Mjeku pohoi se 45-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetsore vazhdon të jetë e rëndë, ndërkohë që ndodhet në terapi intensive.
Sipas policisë, për shkaqet e tentativës për vrasje të Bujar Selamit po hetohet në dy pista: çështje pronësie ose grindje familjare. Kjo për faktin se, sipas të afërmve, këto ishin dy probleme që Përparimi rezultonte t’i kishte me kushëririn e tij. Nga hetimet paraprake rezulton se Përparimi kishte vetëm një muaj që ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën kishte dy fëmijë, ndërsa rezulton se për lidhjen e tyre në martesë kishte ndërhyrë edhe Bujari.