E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Berluskonit, Mjaft! ironizon Berishën

Qëndrimi

Lëvizja “Mjaft!” organizoi dje përpara godinës së Këshillit të Ministrave një aksion, ku në formë simbolike i kërkuan Kryeministrit Berisha t’i dorëzonte homologut të tij italian një kukull si dhuratë. Aktivistët e “Mjaft!”-it theksuan se kjo dhuratë shkon për Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskonin, në përgjigje të dëshirës së shprehur të këtij të fundit për “vajza të bukura” shqiptare. Në duar, aktivistët mbanin një baner ku shkruhej: “Dhuratë për ‘forcimin’ e marrëdhënieve Sali-Silvio, duke ekspozuar para tij një kukull që fryhet, nga ato të disponueshmet në dyqanet e seksit”. Përfaqësuesi i “Mjaft!”, Aldo Merkoçi, deklaroi se Shqipëria nuk ka vajza të bukura për t’i dhënë Berluskonit. “Ndaj i kërkojmë Kryeministrit tonë, që bashkë me homologun e tij italian, ta ndajnë bashkë këtë dhuratë domethënëse, e cila u shkon më së miri për shtat shijeve të Kryeministrit fqinj”, u shpreh aktivisti i “Mjaft!”-it. Ai u shpreh se këto ditë, të gjithë shqiptarët dëshmuan poshtërimin publik që iu bë këtij vendi nga përulësia ekstreme e Berishës përballë talljeve fyese të homologut të tij italian. Po kështu, Merkoçi theksoi se paaftësia dhe servilizmi i kreut të qeverisë shqiptare për të reaguar përballë kësaj arrogance ishte shokuese dhe përtej çdo parashikimi. Po kështu, Makoçi theksoi se mbrojtja që Kryeministri Berisha i bëri këtij incidenti që ndodhi në Romë, ishte e turpshme dhe përbën një dështim moral.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›