Regjistrimi i popullsisë, publiku mbetet i dyzuar
Minoriteti grek mbështet nismën e qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit. Por kundër kësaj nisme janë ngritur mjaft shoqata e qytetarë, që e perceptojnë procesin si të parakohshëm. Procesi i shpallur nga qeveria shqiptare për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të fesë, kombësisë e gjuhës, ka ngjallur debate të ashpra, sidomos në jug të vendit, ku jeton një pjesë e madhe komuniteteve joshqiptare, por dhe minoriteti grek.
74-vjeçari Hodo Lico thotë se është kundër këtij lloj regjistrimi të popullatës në Shqipëri. Ndërsa një zonjë minoritare, Katerina Vllaho, thotë: “Të regjistrohet, pse mos të regjistrohet. është e drejtë e njeriut. Atë besim që ka, atë le të regjistrojë. Jemi të lirë apo jo? Mësuese e historisë në shkollën 9–vjeçare, Adelina Asllani, mendon se me kombësinë mund të abuzohet. “Nuk mund të vetëdeklarohet kombësia. Kombësia është në bashki. Nëse duan statistika, të venë në bashki t’i numërojnë sa janë grekë, serbë, malazezë etj”, shton ajo. Përfaqësuesi i minoritetit grek, ish-kryetar i “Omonia”-s, Jani Jani, vlerëson se bëhet një regjistrim i saktë, i plotë dhe zyrtar i minoriteteve etnike. Pedagog në universitetin “Eqerem çabej”, Bektash Mema nxjerr në pah vështirësi në regjistrim, “për arsye se vetëdeklarimi i fesë është pak i vështirë, sepse ka shumë njerëz (40, 50, 60%) që nuk i praktikojnë fetë, ose dhe ata që janë fetarë, e ndryshojnë fenë për arsye ekonomike. Në fillim Shqipëria të pranohet në Europë, pastaj rregullat të bëhen siç janë në Europë”. Emigrante e sapokthyer nga Greqia, Leonora Lloha vlerëson: “ç’është ky kundërshtim? Unë do shprehem për besimin tim, gjuhën time, kombësinë time. Do shkojmë drejt Europës e nuk jemi në diktaturë. Jam shumë pro regjistrimit të popullsisë sipas dëshirës”.
Engjëll Serjani mendon se “nëse ky regjistrim nuk instrumentalizohet politikisht, apo nga anë të ndryshme, atëherë ky është një regjistrim tepër normal. Por nëse brenda tij do të ekzistojnë prapaqëllime, sidomos me çështje që lidhen me etninë e përkatësinë fetare, atëherë ky regjistrim do të ishte i parakohshëm”. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në takim me strukturat e partisë në Gjirokastër, e quan procesin si “instrumentin më modern, më adekuat për të aplikuar politika të sakta për respektimin e të drejtave”. Qytetari Njazi Kotoni thotë se “deklarimi i fesë, kombësisë etj., më duken të shpejtuara, sepse vetë popullsia është e varfër”. Studentja Elona Shehaj mendon se “kjo situatë më duket shumë absurde. Nuk mund të bëhet regjistrimi i popullsisë në këtë lloj mënyre. Kjo gjë mund të bëhet, por në një moment tjetër, kur të liberalizohen vizat e Shqipëria të jetë pranuar në Bashkimin Europian”. Procesi i regjistrimit pritet të fillojë shumë shpejt, ndërkohë që perceptimi i publikut shqiptar mbetet i dyzuar rreth dobisë së procesit.
#