Karta e identitetit kushtëzon të drejtën për të marrë pjesë në votime
Eljona Ballhysa
Qytetarët shqiptarë do të kushtëzohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2009 nga pajisja e tyre me kartë identiteti. Nëse nuk do të kenë kartë identiteti, nuk do të kenë të drejtë të votojnë. Kjo është bërë e ditur dje gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. I pranishëm në këtë komision për të raportuar ka qenë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Poni. Ai dha informacion rreth punës së Ministrisë për realizimin e regjistrave elektronikë të gjendjes civile, të cilat do të përbëjnë bazën e punës për hartimin e listave të zgjedhësve, për prodhimin e kartave të identitetit si dhe për prodhimin e pasaportave biometrike.
Debati
Por, debati midis zëvendësministrit dhe deputetëve të opozitës në komision u përqendrua tek e drejta e emigrantëve për të votuar. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ka shprehur dyshime për garancitë që jep Ministria për t’u dhënë mundësinë emigrantëve për të votuar, si dhe për pastrimin e listave nga dublikatet. “Nga shpjegimi yt unë nuk ndjehem i plotësuar dhe i sqaruar. Ne nuk marrim garancitë e nevojshme. Ju duhet të pranoni se nuk keni mundësi të garantoni të drejtën emigrantëve, por bëni deklarata politike vetëm se ka bërë një deklaratë kreu i qeverisë suaj, dhe ju i shkoni nga pas. Më thoni: a mundeni ju ta keni gati listën e zgjedhësve 9 muaj para zgjedhjeve?” - është shprehur Xhafaj. Ai gjithashtu theksoi se vazhdon të mbetet ende problem pastrimi i listave nga dublikatet. Ndërsa zëvendësministri Poni garantoi se sistemi dixhital, i cili është vënë në dispozicion nga firma austriake, e cila do të merret me prodhimin e kartave të identitetit, jep mundësinë e prodhimit brenda një ore të listave të zgjedhësve. “E kemi gati për një orë listën e zgjedhësve dhe jo për tre muaj, siç ishte në kohën tuaj”, - ka replikuar Poni. Zëvendësministri hodhi idenë që emigrantët, kur të vijnë në Shqipëri, të aplikojnë për pajisjen e tyre me kartë, dhe vetëm në këtë mënyrë do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje.
Procesi
Zëvendësministri Poni bëri të ditur për anëtarët e Komisionit se Ministria e Brendshme ka përfunduar regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe në datën 30 shtator përfundon lidhja on-line e të dhënave me serverin kombëtar. Pas përfundimit të këtij procesi, Poni tha se deri në datën 15 nëntor do të punohet për vendosjen e numrit të identifikimit qytetarëve shqiptarë, proces ky që përbën pikënisjen për kartat e identitetit. Zëvendësministri gjithashtu bëri të ditur se para zgjedhjeve të vitit 2009 Ministria do të ketë gati kartat e identitetit dhe shpreson gjithashtu dhe pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Këta të fundit, sipas Ponit, do të kenë një çmim prej 5 mijë lekësh dhe do të kenë më shumë të dhëna të sigurta. Poni gjithashtu i siguroi deputetët e opozitës se procesi është shumë transparent dhe ata mund të kërkojnë dhe t’u vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni ligjor që lidhet me këtë proces. Ndërsa bashkëkryetari i Komisionit për Kodin Zgjedhor, Ilir Rusmali, kërkoi nga deputetët opozitarë që të mos e paragjykojnë procesin. Ai tha se në bazë të kontratës kompania austriake ka premtuar se do të prodhojë jo më pak se 15 mijë karta identiteti në ditë. Sipas tij, janë parashikuar gjithsej të prodhohen rreth 4 milionë e 300 karta identiteti. Kjo, sipas tij, është një shifër rreth 3 herë më e madhe se numri i pjesëmarrësve në zgjedhje. Ndaj nuk duhet të shikohet me dyshim ky proces, sipas Rusmalit.
20 Shtator 2008