Duro, supergol dhe lojtari i ndeshjes
Robinjo është nga atdheu i gjuajtjes në formë “gjetheje”, por është shqiptari Klodian Duro, i cili e shndërroi në realitet atë, me atë gol të jashtëzakonshëm nga goditja e lirë prej një distancë prej 25 metrash në minutën e 49-të. “Oh, çfarë gjuajtje e mrekullueshme”, -ishte komenti live i protathlima.com.cy.
Një gol që ndezi zjarr stadiumin i Omonia Nikosias, por që nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren ekipin qipriot kundër Mançester Sitit, në humbjen 1-2 në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës UEFA. Dy golat për Mançester Sitin mbajnë firmën e Jo në minutat e 59-të e 72-të. Në të parin shfrytëzoi një pas të artë të Rajt Filipsit pas gabimit të rëndë të Harallambosit, duke shënuar nga shumë afër, ndërsa në të dytin asistin e dha Zabaleta e Jo goditi fuqishëm.
Goli kundër klubit anglez ishte edhe i treti i fantazistit shqiptar për këtë edicion në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm europian për klubet dhe pesti në 30 ditët e fundit, duke përfshirë edhe golin me Shqipërinë kundër Maltës e një gol me Omonian në kampionatin qipriot.
Ish-lojtari i Tiranës goditi edhe traversën në minutën e 76-të, kur ndeshja ishte 1-2, por sfera preku shtyllën horizontale për të përfunduar jashtë kuadratit.
Klodi e parashikoi se ndeshja kundër klubit anglez së blerë nga sheikët multimiliarderë arabë do të ishte e vështirë, por mesfushori i Kombëtares shqiptare, tregoi se ishte më i miri në fushë, “Man of the Match” (lojtari i ndeshjes sipas komentatorëve të “Sky” në Angli), teksa edhe në minutën e 91-të, goditi befasisht, por portieri i Sitit, Hart e ka bllokuar atë me një stërzgjatje me këmbë.
Ndeshjet e DUROS
ME KLUBIN, KUPA UEFA
17.07.2008: Omonia-Milano (Maqedoni) 2-0, asist
31.07.2008: Milano-Omonia 1-2, (penallti e humbur)
14.08.2008: AEK(Greqi)-Omonia 0-1
28.08.2008: Omonia-AEK 2-2, 2 gola
18.09.2008: Omonia- Mançester Siti 1-2, 1 gol
02.10.2008: Mançester Siti (Angli)-Omonia
ME KOMBËTAREN SHQIPTARE
20.08.2008: Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
06.09.2008: Shqipëri-Suedi 0-0
10.09.2008: Shqipëri-Maltë 3-0, 1 gol
19 Shtator 2008