Prokuroria, kontroll të imtësishëm hoteleve të Korçës
Habjon Hasani
Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme nuk ka aspak ndër mend të lërë pas dore, qoftë dhe elemente të dorës së dytë, që lidhen me itinerarin dhe “aksidentin” që i ndodhi Kosta Trebickës. Burime nga ky organ i bënë të ditur dje “Albania”-s se dy ditët e fundit kanë kaluar në filtër mbi pesëmbëdhjetë hotele dhe motele në qytetin e Korçës dhe në rrethina, ndërsa janë siguruar listat me të gjithë rezidentët para, gjatë dhe pas ditës në të cilën u gjend i vdekur Trebicka. Por ç’është më e rëndësishme, duket se ky veprim i Prokurorisë nuk ka qenë një kontroll rutinë, pasi sikurse është mësuar për disa rezidentë të caktuar, ky organ ka kërkuar informacion shtesë në lidhje me aktivitetin dhe itineraret e tyre. Burime nga ky organ kanë bërë të ditur se për disa persona të piketuar, rezidentë në hotele, është kërkuar dhe verifikimi i tabulateve telefonike për të mësuar më shumë rreth aktivitetit dhe kontakteve të tyre.
Dyshimet
Me dhjetëra dëshmi dhe përshkrime nga banorë dhe biznesmenë të zonës kanë bërë që prokurorët e Tiranës të urdhërojnë një intensifikim të kërkimeve ditët e fundit. Në investigimin e pistës së një vrasjeje të mundshme, deri tani prokurorët dyshojnë skemën e një “ftese për biznes” apo për takim, ndërsa janë tepër skeptikë lidhur me shumë të dhëna që tregojnë se Kosta Trebicka donte t’i bindte gjithë të njohurit e tij se po shkonte për gjah. Prokurorët dyshojnë se vetë Trebicka mund ta ketë përdorur “gjahun” si një koperturë, që askush të mos binte në gjurmë të aktivitetit të tij të vërtetë. Ky investigim i Prokurorisë nxjerr në pah dhe “disnivelin” e madh mes saj dhe forcave policore, të cilat nxituan ta quanin atë që ndodhi si një aksident të pastër.
Trebicka
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka, ekspertët mendojnë se e gjithë vëmendja duhet të ripërqendrohet te vendi i ngjarjes. Sipas tyre, vendi i ngjarjes, po ashtu provat e administruara atje, janë të rëndësishme për hetimin e kësaj çështjeje mjaft të përfolur. Dyshime hidhen për prishje të vendit të ngjarjes, gjithashtu edhe për sipërfaqen e vogël, rreth 450 metra katrorë, të kufizuar me shirit nga policia, kur ajo, për vetë terrenin, relievin dhe qëllimin e të ndjerit, pra ushtrimin e gjuetisë, sipas variantit zyrtar, mund të ishte shumë herë më e madhe. Duke iu referuar mendimit të ekspertëve, gazeta nxjerr në pah konstatimin së vendi i ngjarjes mund të jetë prishur, e kjo përkon me tragjedinë e Gërdecit, kur ekspertët amerikanë që erdhën për të parë vendin e ngjarjes u shprehën të alarmuar se mund të ishin prishur prova tejet të rëndësishme për hetimin.
20 Shtator 2008