Kreshnik Spahiu, takime të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë po zhvillon prej dy ditësh takime me zyrtarë të lartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kreshnik Spahiu është pritur nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë dhe i sistemit gjyqësor amerikan. Gjithashtu Spahiu pati takime në Departamentin Amerikan të Shtetit. Bisedat me zyrtarët, prokurorët dhe gjyqtarët amerikanë janë zhvilluar mbi çështjet më të mprehta, të cilat ka sfidë sot Shqipëria, si: korrupsioni, krimi i organizuar, reformat, pavarësinë e institucioneve, sundimi i ligjit, imuniteti, procesi legjislativ në lidhje me projektet për pushtetin gjyqësor, Këshilli i Lartë të Drejtësisë, administrata gjyqësore, gjykata administrative etj. Një nga çështjet më të rëndësishme që është trajtuar në bisedat e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me zyrtarët e lartë amerikanë ka qenë plotësimi dhe zhvillimet e standardeve të institucioneve të Drejtësisë dhe shtetit ligjor si kërkesë e vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë aleancë. Drejtësia ka qenë në fokusin e bisedave të Kreshnik Spahiut me zyrtarët dhe juristët amerikanë. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, do të ketë intervistë për mediat amerikane në lidhje me takimet dhe qëndrimet zyrtare për sfidat e Drejtësisë shqiptare, të mbajtura në këto bisedime. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u prit dje gjithashtu dhe nga drejtuesit e administratës gjyqësore amerikane. Ai do ta vazhdojë axhendën në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve.
20 Shtator 2008