Eksperti amerikan “viziton” Voskopojën
Eksperti amerikan, Kevin Teeter, udhëtoi dje drejt Voskopojës. Ai mbërriti dje nga Virxhinia e SHBA-ve për të marrë pjesë në hetimin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka më 12 shtator të këtij viti. I shoqëruar nga një koleg të tij ekspert, nga një koleg i pranishëm që në ditën e parë të hetimeve, Kevin Teeter qëndroi për pak kohë në vendin ku ndodhi aksidenti, në zonën e Lekasit në Korçë. Ato janë mjaftuar duke i bërë një këqyrje vendit ku është gjetur Trebicka i vdekur, i cili vazhdon të jetë i etiketuar, por pa masa sigurie. Më pas janë shoqëruar drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Korçës, ku ekspertët do të bëjnë dhe ekzaminimin teknik të makinës tip “Nisan”, me targa 8843 J, në të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka. Kevin Teeter, eksperti ligjor i aksidenteve automobilistike dhe i rindërtimit të skenave të aksidenteve i shtetit të Virxhinias, do të saktësojë nëse automjeti ishte apo jo i rregullt teknikisht, apo ka pasur ndonjë ndërhyrje të jashtme. Akti i ekspertimit autoteknik do të krahasohet dhe me provat e tjera për të dalë me një konkluzion nëse denoncuesi i aferës së tregtisë së armëve vdiq thjesht në një aksident, apo u ekzekutua. Eksperti mbërriti në Tiranë pas kërkesës që Prokuroria e Përgjithshme i bëri Ambasadës Amerikane për vënien në dispozicion të një eksperti të posaçëm, për të dhënë kontributin në ekzaminimin e ngjarjes së 12 shtatorit. Këqyrja e automjetit të implikuar në aksident, mbi të gjitha, rezulton të jetë një ”punë laboratorike”. Manualet kërkojnë fillimisht një ekspertim të hollësishëm të të gjitha llojeve të materialeve biologjike që ndodhen apo kanë lënë gjurmë në automjet. Këtu përfshihen që nga njollat e gjakut deri te lloji i dheut që është konstatuar në momentin e impaktit. Një kërkim shumë i rëndësishëm ka lidhje me gjurmët metalike që mund të gjenden në automjet, të cilat mund të kenë lidhje me automjetin (e dytë) që ka shkaktuar dhe provokuar aksidentin. Lloji i ”plagëve” që konstatohen në mjetin e aksidentuar është një tjetër tregues i rëndësishëm që jep të dhëna matematikore dhe të padiskutueshme lidhur me itinerarin, shpejtësinë dhe rrethanat e imtësishme të raportit që ka pasur drejtuesi me mjetin e tij në momentin e aksidentimit.
Ekspertët: Analizimi i makinës, i rëndësishëm po aq sa edhe ai i kufomës
Përgjigjja shkencore lidhur me dinamikën e “aksidentit” që i mori jetën biznesmenit Trebicka pritet të merret nga “dëshmia” e mjetit “Nissan Patrol” që ai ngiste. Ekspertë hetues e kanë cilësuar ekspertimin e mjetit si një moment tejet të rëndësishëm dhe të padiskutueshëm për të zbardhur rrethanat dhe për t’u dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve serioze që ngrihen nga skena e vendit të ngjarjes. Por ekspertimi metalurgjik dhe kimik i makinës do të kryhet nga ekspertë amerikanë, të cilët njihen dhe si ekspertët më të mirë në analiza të këtij lloji. Makinës do t’i kryhet një ekspertim i hollësishëm nga brenda për të mbledhur sa më shumë gjurmë kimike, ndërsa “plagët” që makina ka pësuar mendohet se do të jenë dhe çelësi për përcaktimin e dinamikës së ngjarjes. Nëse kufoma e Trebickës duhet t’u nënshtrohet disa lloj analizave mjeko-ligjore, ekspertimi i fuoristradës së tij kërkon një punë gjigante dhe tejet të avancuar. Ekspertët amerikanë do të jenë të pajisur dhe me kompjuterë specialë, në të cilët do të hedhin të gjitha të dhëna e mbledhura për të arritur më pas në skicimin e variantit përfundimtar.
20 Shtator 2008