Deklarata e Haradinaj ndali frymën në Kosovë
09/03/2005 Një lajm i hidhur ka shqetësuar dje Kosovën. Një lajm që është përfolur gojë më gojë apo edhe në media. Një lajm që nuk e ka mirëpritur populli i Kosovës. Në mesditën së martës, më 8 mars është bërë e ditur aktakuza ndaj Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, e ngritur nga Gjykata e Hagës. Zyrtarizimi i kësaj aktakuze është deklaruar nga vetë Ramush Haradinaj, në një konferencë për shtyp, që është mbajtur pas përfundimit të mbledhjes se kabinetit qeveritar. Ramush Haradinaj ka dalë para mediave pa asnjë shenjë shqetësimi në fytyrë. Në duar, ai ka patur edhe deklaratën e tij me shkrim, por edhe aktakuzën. Në momentet kur është transmetuar kjo deklaratë e tij në tri televizionet kombëtare të Kosovës, sikur i është ndalur “fryma” për një moment gjithë Kosovës. Qytetarë të ndryshëm dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës janë habitur nga ky lajm i hidhur, por edhe kanë qenë tepër të befasuar nga qëndrimi burrëror i Ramush Haradinajt. “U mbajt si burrat”, ishin reagimet e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Në këtë deklaratë të tij, Haradinaj ka përmendur shifra e fakte për sakrificën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, ka konkluduar se kjo aktakuzë ndaj tij është një ndërprerje në rrugën tonë drejt lirisë, demokracisë dhe sovranitetit dhe ka dhënë premtimin se asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë rrugën tonë drejt pavarësisë. Ndërkohë, siç njoftojnë agjencitë e lajmeve lokale, në disa rajone të Kosovës ka patur sulme sporadike në shënjestër të të cilave kanë qenë objekte dhe makina të UNMIK-ut. Këto burime njoftojnë se në rajonin e Dukagjinit, prej nga është edhe Ramush Haradinaj, janë shtuar masat e sigurisë nga ushtarët e KFOR-it. Ndërkaq, zyrtarët për informim të KFOR-it kanë bërë të ditur se në mbrëmje të ditës së hënë, urgjentisht në Kosovë kanë ardhë 500 trupa britanike. Zyrtarizimi i aktakuzës së Tribunalit kundër Ramush Haradinajt ka futur shqetësim, hutim, ethe dhe zhgënjim shpirtëror te populli i Kosovës. Në ditët që do të vijnë do të shihet se a do të shpërthejnë në revoltë këto ndjenja të popullit. Në fakt, askush nuk dëshiron përsëritje të “marsit të vitit 2004”, por asnjëherë më shumë nuk është provokuar përsëritja e marsit të vitit të kaluar. Por, një gjë dihet dhe është e sigurtë se, nëse protestat e vitit të kaluar janë provokuar nga mbytja e dy të rinjve shqiptarë në lumin Ibër të Mitrovicës, kësaj radhe fajtorë dhe autorë për protestat eventuale janë Bashkësia Ndërkombëtare dhe kryeprokurorja e Tribunalit, Karla Del Ponte.