E Hënë, 2 Nëntor 2026

Deputetët ngurojnë për ligjin e shtypit

09/03/2005  Gjoba

Mediat që do të shpifin, apo do të fyejnë dinjitetin e një personi, do të gjobiten nga 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. Projektligji përcakton se për gazetarët nuk do të ketë më ndjekje penale, por vetëm padi civile. Ndërsa përgënjeshtrimi ndaj një shkrimi është i detyrueshëm për t'u botuar, nëse është i drejtë

Subvencionet

Gazetat që do të shiten nën kosto, nuk do të kenë të drejtën e reklamave shtetërore dhe as të reduktimit të çmimit të telefonisë fikse dhe të energjisë elektrike. Komisioni nuk ka vendosur nëse referencat për koston do të pasqyrohen në ligj, apo do të jenë tatim-taksat që do të kontrollojnë shpenzimet për një gazetë

Replikat

Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Mediave, deputeti Nikollë Lesi ka debatuar ashpër me kryetarin e Komisionit. Shkak është bërë diskutimi për paraqitjen e dy varianteve për votim në seancë. Lesi e ka cilësuar Ulqinin si "lavatriçe", duke i rikujtuar një thënie të Nanos, ndërsa Ulqini e ka cilësuar Lesin si një rrugaç ordiner

Komisioni i Mediave nuk ka mundur të përcaktojë formulën për konkurencën e gazetave

Lesi: Shteti mos të subvencionojë gazetat që shiten më pak se kosto e prodhimit

Komisioni i Medias nuk ka arritur të gjejë një formulë të vetme për ligjin mbi mediat. Në përgjithësi, deputetët kanë pranuar faktin që shteti nuk duhet të ndihmojë gazetat, të cilat shiten nën koston e prodhimit. Por nuk është arritur në formulën se si do të përcaktohet kosto për botimin e një gazete. Deputeti Nikollë Lesi ka kërkuar, gjatë debateve, që në ligj të përcaktohet qartë se cilët do të jenë çmimet e referencës. Por një pjesë e komisionit ka kërkuar që në draft të mos ketë përcaktime të tilla, pasi janë organet kompetente të shtetit që përcaktojnë kostot përkatëse. Megjithatë, fillimisht, është pranuar që për këtë çështje komisioni të paraqesë për votim dy variante. Vetë deputeti Lesi është shprehur se nuk do të heqë dorë për asnjë nga pikat që ka propozuar, si për çmimet e referencës, ashtu dhe për ndihmën që duhet t'u japë shteti mediave të ndryshme.

Komisioni

Në variantin e ish-komisionit të mediave përcatohet se gazetat, që shiten nën koston e prodhimit, nuk do të kenë të drejtën e reklamave dhe as të subvencioneve të tjera, duke filluar nga reduktimi i çmimit të telefonisë fikse dhe të energjisë elektrike. Por në ndryshimet e bëra, deputetët nuk kanë pranuar që gazetat të publikojnë bilancet e tyre, duke i bërë publike shpenzimet. Kjo do të ishte një nga format për të verifikuar koston, që ka një botues për gazetën e tij. Por, një pjesë e komisionit të medias, është shprehur se një veprim i tillë nuk është ndërmarrë as në gazetat e huaja, ndaj dhe nuk mund të aplikohet në Shqipëri.

Amendamentet

Nga ana e tij, deputeti Lesi është shprehur se për të shmangur publikimin e bilanceve te vetë gazetat, duhet që në ligj të vendosen çmimet e referencës. Për Lesin, këto çmime janë vendosur nga studimi real i tregut. Propozuesit e amendamentit janë shprehur se shteti nuk do të japë subvencione dhe reklama për gazetat që do të shiten nën çmimet e referencës. Kjo nuk do të thotë që do të ketë çmime dysheme, por vetëm do të përcaktohet qartë kosto e prodhimit. Një vendim i tillë do të sillte konkurrencën e ndershme në media, duke rregulluar dhe tregun. Pasi shteti nuk do të mbulonte humbjet që krijohen nga shitja nën koston e prodhimit, si dhe do të eliminoheshin dhe abuzimet.

Reklamat sipas tirazhit në shitje

Gjatë diskutimit për ligjin e shtypit, deputetët kanë theksuar se shteti do të subvencionojë gazetat me reklama, sipas tirazhit që ato kanë. Një përcaktim i tillë është cilësuar tepër abuziv, ndaj është kërkuar që ndarja e reklamave të bazohet në përqindjet që zënë gazetat në shitje. Për këtë do të duhen organe të specializuara, që do të paraqesin studime mbi shitjet që kanë gazetat në Shqipëri. Ndërsa do të jetë Ministria e Financave, që në çdo muaj janar do të paraqesë skemën e ndarjes së reklamave shtetërore për gazetat. Megjithatë, është pranuar që shteti të ndihmojë pa dallim mediat, duke ulur çmimin e energjisë elektrike si dhe të telefonisë fikse. Gjithashtu, deputetët janë shprehur se mediat do të përjashtohen nga Taksa për Vlerën e Shtuar. Deputetët theksuan se për këto subvencione ekziston një vendim i qeverisë, por do të ishte më korrekte që të sanksionohej me ligj, pasi kjo e detyron qeverinë dhe përjashton presionin që mund të ushtrojnë pushtetarët ndaj mediave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›