Kosumi: Do vazhdojmë punën e lënë nga Kryeministri
09/03/2005 Ramush Haradinaj, pas vendimit për të dhënë dorëheqjen, ka zhvilluar dhe një takim me të propozuarin e tij për të marrë postin e Kryeministrit, Bajram Kosumi. Pas takimit, ky i fundit tha se është dhe do të jetë krenar për tërë karrierën e tij si atë ushtarake dhe politike. "Ne besojmë dhe qytetarët e Kosovës besojnë plotësisht në pafajësinë e Haradinaj dhe të gjithë shqiptarët dëshironin të kishin një biografi si Haradinaj, të një heroi dhe të një lideri të suksesshëm, që e ka vërtetuar edhe gjatë periudhës së pasluftës", tha Kosumi. Ai theksoi se e kupton plotësisht zemërimin e qytetarëve të Kosovës në këtë padrejtësi që i bëhet Haradinajt. Ndaj, shprehu bindjen se Haradinaj nesër do të shkojë në Hagë, ku do të arrijë të dëshmojë pafajësinë e tij. "Vendimi është në përputhje me bërjen e shtetit të Kosovës. Ky vendim është akt i lartë patriotik në mbështetje të ndërtimit të shtetit të Kosovës", tha Kosumi. Ai shtoi se nuk ekziston procesi i shtetit të Kosovës për ne, por ne ekzistojmë për atë proces. Në lidhje me pyetjen, nëse do të kërkohet mbrojtje institucionale për Haradinaj, ai tha: "Të gjitha institucionet e kanë përkrahur fuqimisht punën e Haradinajt, UNMIK-u dhe KFOR-i, të cilët do të vazhdojnë ta përkrahin edhe në të ardhmen. Duhet të ofrojnë garanci dhe lehtësira për procesin në bazë të mundësive që ata kanë". Garancia më e madhe për Haradinaj, tha Kosumi, është që ta bëjmë Kosovën shtet. Kosumi tha se shumë shpejt do të zgjidhet edhe Kryeministri i ri i Kosovës. "Unë personalisht dhe institucionet e tjera e kemi përkrahur vendimin e Haradinaj për vazhdimin e punës së qeverisë dhe funksionalizimin e saj. Edhe përfaqësuesit e partive opozitare kanë mbështetur vendimin që për Haradinajn të ofrohen garanci dhe mbrojtje institucionale nga institucionet ndërkombëtare dhe ato vendëse".