E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Sarajevës, Meta: Mbështetje për perspektivën evropiane të rajonit

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta mori pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ) në Budva të Malit të Zi. Gjatë fjalës së tij, z.Meta pasi bëri një ekspoze të progresit të Shqipërisë në përmbushjen e reformave në kuadër të proceseve integruese, vuri theksin në rëndësinë e perspektivës evropiane të rajonit duke vlerësuar në veçanti proçesin e liberalizimit të vizave si një histori suksesi të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kontekts, kryediplomati shqiptar e konsideroi Deklaratën e Sarajevës si një mbështetje dhe angazhim të plotë të BE-së për perspektivën evropiane të rajonit, dhe si një shtysë dhe frymëzim për të gjithë qeveritë e këtyre vendeve për të përshpejtuar më tej reformat drejt anëtarësimit në BE. Ministri i Jashtëm, inkurajoi frymën bashkëpunuese të Nismës për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve anëtare nëpërmjet projekteve zhvillimore me interes të përbashkët dhe me impakt rajonal në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, z. Meta ritheksoi nevojën për përfshirjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet rajonale, me synimin për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të saj me vendet e rajonit. Në përfundim të këtij Takimi, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare nënshkruan dokumentin me rekomandimet e paraqitura nga Grupi Ndërkombëtar i Ekspertëve. Rekomandimet e miratuara synojnë që NEQ, Nisma më e vjetër shumëpalëshe në Evropën Qendrore dhe Lindore, të vazhdojë të transformohet për t’iu përshtatur zhvillimeve të sotme dhe për të realizuar sa më mirë misionin e saj në drejtim të proceseve integruese në strukturat evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›