Rregullorja e re e Kuvendit, opozita sërish konteston procedurën për dekretet
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet vazhdoi dje me diskutime mbi përmbajtjen e propozimit të një grupi deputetësh, për rregulloren e re të Kuvendit.
Deputetët e mazhorancës thanë se këto ndryshime janë një instrument që i shërben transparencës dhe që i jep mundësi opozitës të mbikëqyrë e të kontestojë publikisht çdo kandidaturë që mund të zgjidhet për interesa të tjera të ndryshme nga interesat e drejtësisë. Por opozita kontestoi aplikimin e procedurës së re për votimin e dekreteve të Presidentit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e mazhorancës u shprehën se ndryshimet i japin mundësi Kuvendit të shprehë përgjegjësinë përpara shqiptarëve dhe të garantojë një sistem drejtësie të pastër. “është garancia e vetme që shqiptarët kanë për të siguruar që njerëzit më profesionistë dhe më me integritet të zgjidhen në organet e larta të drejtësisë. është instrument që synon të garantojë një sistem drejtësie të pakurruptuar e që gëzon besimin e shqiptarëve. Ky propozim është në përputhje me vlerësimet që Komisioni i Venecias i ka bërë procedurave të votimit në të gjitha vendet europiane. Ky përmirësim i ligjit të Kuvendit forcon transparencën që i kërkon Kushtetuta për një procedurë të tillë. Në mbledhje u bë propozimi që votimi të bëhet nominal, gjë për të cilën i takon Kuvendit të vendosë”- ishte qëndrimi i deputetëve të mazhorancës.
Kandidatët për Gjykatën e Lartë, javën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve/Tre kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar në dekretet e emërimit nga Presidenti i Republikës, do t’i nënshtrohen javën e ardhshme seancave dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve. Kalendari i punimeve të këtij komisioni ka përcaktuar një seancë të veçantë për secilin kandidat, duke filluar nga data 21 qershor me kandidatin Medi Bici, për të vijuar më 22 qershor me Sokol çomon dhe për të përfunduar më 23 qershor me kandidatin Vexhi Muçmataj. Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të depozituara për shqyrtim në parlament më 25 maj, do të programohen për t’u votuar në seancë plenare, sapo të jenë gati. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, më 25 janar 2010 nisi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 vendet në Gjykatën e Lartë.
Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Ndërkohë, numri i atyre që konkurruan për këto poste ishte rreth 50-60 individë.