E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi, PD: Rama kërkon të fshehë gjurmët e një lobingu kundër interesave të vendit

Selia blu sqaron se e vetmja kontratë e nënshkruar është ajo për lobimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Për këtë, PD bën transparente për mediat të gjithë dokumentacionin

Partia Demokratike hodhi poshtë sot pretendimet e ngritura nga një e përditshme shqiptare ku pretendohej se Nano është kontakti i PD-së për lobing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një deklarate për shtyp, PD sqaron se gjithçka është e gënjeshtërt dhe fatkeqësisht viktimë e kësaj fushate të shëmtuar ka rënë edhe Gazeta “Panorama”, me burim kryesor qarqet e ngushta të Edi Ramës, i cili po përpiqet të fshehë gjurmët e një afere të rëndë kundër interesave të Shqipërisë. .
“Partia Demokratike përgënjeshtron shkrimin e botuar sot më dt. 15 Qershor 2010 në gazetën Panorama me titull “Nano kontakti i PD për lobing në SHBA”……
është fare e qartë se kjo gënjeshtër, viktimë e së cilës ka rënë dhe Gazeta Panorama, me burim qarqet e ngushta rrotull Edvin Ramës, ka pasur qëllim tërheqjen e vëmendjes të publikut pas daljes në dritë të skandalit mes Partisë Socialiste dhe një kompanie lobingu amerikane, që është nënshkruar nga kryeadministratori i Bashkisë së Tiranës.
Më tepër se përfshirjen e çuditshme në këtë marrëveshje, Edvin Rama me sa duket po kërkon të fshehë gjurmët e një lobingu kundër interesave të vendit dhe të një afere që implikon zhdukjen e fondeve publike dhe të taksave të qytetarëve të Tiranës për interes të Partisë Socialiste”- thuhet në deklaratën për shtyp të PD.
Selia blu nënvizon gjithashtu se e vetmja kontratë e nënshkruar nga kjo forcë politike është ajo për anëtarësimin e vendit në NATO.
“Kontrata është ligjore dhe transparente si drita e diellit dhe se qëllimi i saj ka qenë lobimi për antarësimin e vendit në NATO. Gjithashtu kontrata në të gjithë termat e saj është nënshkruar dhe negociuar nga zyrtari përgjegjës i Partisë Demokratike z. Flamur Noka. Duke ruajtur të palëkundur respektin për lirinë e shtypit dhe të shprehjes në Shqipëri, besojmë se gazeta Panorama do të bëjë përgenjështrimin e shkrimit të botuar në numrin e sotëm të saj. Partia Demokratike vë në dispozicion kësaj gazete dhe çdo medieje tjetër marrëveshjen origjinale, gjë të cilën Edvin Rama nuk guxon ta bëjë”- thuhet më tej në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›