Fakti/Prefekti i Tiranës padit Edi Ramën për shkelje të kompetencave të Policisë Bashkiake
Prefekti i Qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, ka ngritur një padi në organin e akuzës, ndaj kryebashkiakut Edi Rama për përvetësim të Policisë Bashkiake dhe kalim të kompetencave të saj. Duke marrë shkas nga shqetësime të ngritura në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme për probleme të trafikut në qytetin e Tiranës, Prefektura e Qarkut Tiranë ka konstatuar shpërdorimin flagrant të detyrës si rast i papreçedentë, “në rregullimin e trafikut” nga Policia Bashkiake për më tepër me uniforma (jelekë fosforeshentë me mbishkrimin “Policia Bashkiake” dhe tabela rrugore) të pamiratuara nga institucionet përkatëse në dt. 28.05.2010 dhe më parë. Këto veprime përbëjnë përvetësim të funksionimit të Policisë së Shtetit dhe tejkalim të kompetencave ligjore të Policisë Bashkiake. Prefekti Kruja deklaron se “ky veprim bie në kundërshtim me nenet 11, 12 të ligjit nr.8378, dt.22.07.1998 “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë””. “Në këtë kod përcaktohet qartë se kryerja e veprimeve nga ana e Policisë Bashkiake bëhet vetëm për shkeljet që kanë të bëjnë me parkimet e kryera në rrugët që janë në administrim të Bashkisë. Gjithashtu në vazhdën e shpërdorimit të detyrës Prefektura e Qarkut Tiranë ka vërejtur në mënyrë të përsëritur prezencën e efektivave të Policisë Bashkiake me uniformë në tubime, veprim i cili bie ndesh me ligjin 8773, dt.23.04.2001 “Për tubimet”. Gjithashtu, një veprim tjetër në kundërshtim me VKM nr.229, dt.23.04.2004 “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, konsiderohet edhe prezenca e Policisë Bashkiake në kryerjen e homazheve nga funksionarë të Partisë Socialiste”- thuhet në deklaratën për shtyp të Prefektit të Tiranës, Keltis Kruja.
Për sa më sipër Prefekti i Qarkut Tiranë në zbatim të funksioneve të veta dhe në përputhje me kompetencat që i jep ligji i është drejtuar organit të akuzës për të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara më sipër.
Prefekti Kruja, zotohet se do ndjekë çdo hallkë, për të garantuar zbatimin e ligjit në Qarkun e Tiranës.