Deklarata zyrtare e PDK-së për vrasjen e Kekës
“Partia Demokristiane shpreh dhimbjen e thellë për humbjen tragjike të jetës së kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka, dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes, fëmijëve, miqve, kolegëve, demokristianëve të Malësisë së Madhe dhe të të gjithë Shqipërisë për humbjen e njeriut të dashur dhe politikanit me reputacion, përfaqësuesit të denjë të partisë tonë, njeriut të përkushtuar ndaj vlerave kristiane dhe demokratike. Vrasja e tij në atentat me eksploziv është një goditje e rende për familjen, miqtë, të dashurit, Partinë Demokristiane, lirinë dhe sistemin tonë demokratik. Aleks Keka, 35 vjeç, baba i tre fëmijëve, prind dhe qytetar i respektuar, drejtonte prej dy vjetësh Partinë Demokristiane në Malësinë e Madhe. Aleks Keka gëzonte respekt në të gjithë Malësinë e Madhe dhe nuk kishte konflikt personal. Partia Demokristiane deklaron e bindur se vrasja e Aleks Kekës nëpërmjet atentatit tragjik është vrasje politike. Për shkak të funksionit të tij politik i ndjeri Aleks Keka është kërcënuar nga telefonata të ndryshme që bëheshin nga numra telefoni me prefiks të huaj, siç janë kërcënuar edhe kandidatë të tjerë të Partisë Demokristiane në qarkun e Shkodrës. Ne denoncojmë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për nxitjen e terrorit politik nëpërmjet akuzave dhe shpifjeve kundër përfaqësuesve të Partisë Demokristiane. Zonja Topalli është përgjegjëse për shkatërrimin e procesit elektoral në qarkun e Shkodrës, është përgjegjëse për nxitjen e terrorit politik që solli pasoja tragjike, me vrasjen politike të kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka. Partia Demokristiane kërkon nga organet e Sigurisë Kombëtare, policia, prokuroria dhe shërbimi inteligjent të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të venë para përgjegjësisë ligjore shkaktarët e kësaj vrasjeje të rëndë politike....”
19 Qershor 2009