Pjerin Ndreu: “Deklarata e Policisë, e nxituar, nuk mund të dilte me konkluzione”
Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu, pasi e ka dënuar vrasjen e djeshme, e ka cilësuar si joprofesionale dhe të parakohshme, pasi sipas tij është Prokuroria e rrethit ajo që jep konkluzione të hetimit. Ndreu shtoi se nuk mund të jepen konkluzione pa u përfunduar procesi i këqyrjes në vendngjarje. “Deklarata ishte problematike, pasi nuk kuptoj se në çfarë kushtesh një deklaratë e tillë del pa përfunduar procesin e këqyrjes së vendngjarjes. Nuk mund të jepet asnjë konkluzion, aq më tepër një informacion që është konfidencial për të zbardhur ngjarjen dhe jo për t’u shitur në publik”, - tha Ndreu.
Prononcimin e Policisë së Shtetit Ndreu e cilësoi si një kundërpërgjigje të qeverisë ndaj deklaratave të dhëna se është një vrasje politike. “Ky prononcim me jep idenë se është një kundërpërgjigje e Policisë kundrejt ndonjë deklarate që është thënë për një ‘vrasje politike’. Deklarata e Policisë është e parakohshme, grupi hetimor duhet të drejtohet nga Prokuroria e rrethit dhe jo nga Policia. Kjo është një metodë e gabuar e organeve tona policore, pasi nuk janë ata kompetentë të japin deklaratat, është prokuroria që drejton procesin hetimor. Policia është thjesht një organ që vihet në dispozicion të Prokurorisë”, - theksoi Ndreu.
19 Qershor 2009